Pas kritikave të shumta për rizgjedhjen e tij si nënkryetar, akademiku Myzafer Korkuti dha sot dorëheqjen. Akademiku Artan fuga ka reaguar lidhur me këtë vendim të Korkutit, duke thënë se i kërkon falje atij, nëse e ka lënduar për fjalët që ka thënë për zgjedhjet në këtë institucion.
“Unë i kërkoj ndjesë Profesorit që pa dashjen time, në kërkim të rrugëve për ta nxjerrë nga kriza dhe farsa Akademinë e Shkencave, unë e kam ndofta lënduar anashkalimthi edhe atë, duke bërë çfarë kam pasur në dorë të evitoj konfuzionin e njeriut me institucionin. Por, duke theksuar gjithnjë se nuk kam pasur asgjë personale me të as me një njeri tjetër, dhe duke i shprehur respektin tim më të veçantë!”, reagon Fuga për gazetën Panorama.
Kujtojmë se Artan Fuga ishte i pari që vuri në dukje problemet në akademinë e Shkencave.
REAGIMI I PLOTË
Lidhur me dorëheqjen e nënkryetarit të Akademisë të Shkencave!
Mësojmë se nënkryetari i Akademisë të Shkencave të Republikës të Shqipërisë sapo ka dhënë dorëheqjen!
Me këtë rast unë përulem me respekt për profesor Myzafer Korkutin duke e risiguruar atë sikurse kam bërë cdo ditë dhe çdo orë të këtyre ditëve me debate dhe tensione të mëdha për të ardhmen e Akademisë, pa e humbur kurrë torruan dhe respektin, se unë vlerësoj maksimalisht kontributin e tij prej disa dekadash si shkencëtar dhe edhe më shumë edhe si menaxher i agjencive kërkimore shkencore të vendit.
Në vitin 2008, në krye të një auditi shkencor në institutet e atëhershme akademike, ku gjetëm një gjendje katrahure e cila është pasqyruar me detaje në raportet e kohës, vetëm në Institutin e arkeologjisë të drejtuar nga Profesor Myzafer Korkuti gjeta ekselencën ku ndihej dora e tij.
Fondet e cmuara edhe në ditët më të këqia atje u ruajtën dhe u siguruan. Atje ndihej dora e Tij!
Unë përulem sinqerisht para atij brezi shkencëtarësh, duke shpresuar se shkenca shqiptare që prej kohësh lëngon dhe e ka humbur shkëlqimin e vet për një mijë arësye që nuk varen nga Profesori, do të dijë të ngrihet. Dhe shpejt madje!
Unë uroj që profesor Korkuti të ketë krijimtari të gjatë dhe kontribut energjik brenda një asambleje akademikësh, e cila ka mundësi t’i gjejë të gjitha rrugët për t’ja hequr vellon e dështimit institucionit!
Unë i kërkoj ndjesë Profesorit që pa dashjen time, në kërkim të rrugëve për ta nxjerrë nga kriza dhe farsa Akademinë e Shkencave, unë e kam ndofta lënduar anashkalimthi edhe atë, duke bërë çfarë kam pasur në dorë të evitoj konfuzionin e njeriut me institucionin. Por, duke theksuar gjithnjë se nuk kam pasur asgjë personale me të as me një njeri tjetër, dhe duke i shprehur respektin tim më të veçantë!
Akademia ka etikën e vet universale!
Mënçuria e profesor Korkutit duhet të ndricojë pjesën tjetër të kryesisë për të dhënë dorëheqjen dhe hapur rrugë për transformim dhe reformime të cilat këto vite fatkeqësisht nuk janë kuptuar, janë penguar dhe madje në raste të ndryshme të përsëritura janë censuruar.
Produkti i Akademisë të Shkencave sot është artificial, fiktiv dhe i padobishëm në një masë shumë të madhe, pa futur gjithçka në një kategori!
Asnjë institucion nuk mund të shpërblehet për një punë të pabërë dhe me rezultat gënjeshtar!
As loja me emrat e akademikë të mëdhenj, as politizimi i cështjes, as manipulimet me emrin e Agollit të madh nuk legjitimojnë gjë. Gabimet dhe vonesat janë të pafalshme!
Unë vazhdoj të them se as nuk mund të nisi një proces i vërtetë reformimi nëse paraprakisht nuk do të realizoheshin masat e menjëhershme:
- Dorëheqje e të gjithë kryesisë të rizgjedhur.
2. Administrim i përkohshëm me kompetenca të kufizuara nga ana e sekretarit shkencor.
3. Transparenca e figurës të Akademikut sipas kërkesës të bërë nga kryesia e kaluar.
4. Auditim i përdorimit të burimeve njerëzore, materiale dhe financiare të Akademisë të Shkencave nga ana e oraganeve ministeriale dhe jo vetëm.
Vetëm atëhere mund të konsiderohet se pika e 5, pra
5. Ngritja e një komisioni të përkohshëm reformimi, mund të kishte vlerë dhe të niste një punë të pastër, të sinqertë, të thellë, dhe efikase!
Përndryshe farsa do të transformohej në një farsë të farsës! (D.D/Shuplaka)