Nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti, ka deklaruar se PAN i ka votat për të zgjedhur Kadri Veselin Kryetar të Parlamentit.Hoti ka thënë se kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka bërë një ofertë për votimin e institucioneve duke u tërhequr nga kandidatura për kryeparlamentar, me kusht që LAA dhe VV ta votojnë kandidatin tjetër të PAN-it dhe Haradinajn për Kryeministër, raporton RTV21.
“Deri të enjten kanë kohë të përgjigjen në ofertën e Veselit”, tha Hoti. Mirëpo koalicioni LAA dhe Vetëvendosje thonë se nuk do ta votojnë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit dhe as formimin e qeverisë ku bën pjesë edhe PDK-ja.
Shefi i Grupit Parlamentar LAA, Avdullah Hoti, thotë se ky koalicion nuk e voton Veslin për kryeparlamentar.
“Qëndrimi i koalicionit LAA është i qartë. Nuk e votojmë Kadri Veselin për kryetar të Kuvendit”, tha Hoti.
Por nënkryetari i PDK-së , Hoti, është i bindur se të enjten Kadri Veseli do të zgjidhet kryetar i Kuvendit, kurse Ramush Haradinaj kryeministër.
“Janë numrat dhe Veseli të enjten zgjidhet kryetar i Kuvendit”, tha ai.
(B.H/Shuplaka)
Discussion about this post