Kryetari i LIBRA-s, Ben Blushi, shigjetoi edhe ish-ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, dje në intervistën e dhënë për emisionin “Të paekspozuarit”. Në vijim të deklaratave të forta ndaj Edi Ramës, ai u ndal edhe tek Manastirliu duke u shprehur “Rama, nënpunësen ordinere të Bashkisë së Tiranës, e bëri ministre Shëndetësie”.
Ditën e sotme, ish-ministrja ka reaguar duke shprehur habinë e saj për këtë deklaratë të Ben Blushit, e duke i dhënë të drejtë të gjithë atyre që e njohin dhe cilësojnë si “burrë gojëlëshuar”.
Ajo shprehet se nëse ky zotëri do arrijë të jetë në parlament, ajo do i tregojë se ai nuk ka asnjë bazë dijesh për ato që merr përsipër të thotë.
Reagimi i Ogerta Manastirliut:
Dëgjova që z. Blushi më ka përgojuar dje në një ekran televiziv, duke përdorur fjalë rruge ndaj meje.
Jam e çuditur se nuk e njoh dhe nuk më njeh. Po me sa duket ata që e njohin dhe tregojnë çudira për këtë burrë gojëlëshuar, paskan shumë të drejtë.
Sidoqoftë i them z. Blushi se ajo që kam dëgjuar prej tij për shëndetësinë, është shumë qesharake dhe për një njeri pa shkollë, jo më për një deputet.
Do ta vendosin qytetarët e Tiranës nëse do ketë më vend në Parlament, për këtë zotëri që shan gratë si burrë i dehur!
Por nëse do ketë aq shumë njerëz që do gënjehen prej përrallave të tij, me shumë kënaqësi do t’ia tregoj nga foltorja e Parlamentit të ri se pse ai nuk ka asnjë bazë dijesh, për të folur për ato që merr përsipër të flasë.
(XH.A/SHUPLAKA)