Në Samitin e Dixhitalizimit në Beograd u nënshkrua marrëveshja e heqjes së shërbimit Roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Lajmin e ka bërë të ditur Sekretarja e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, Majlinda Bregu, e cila ka njoftuar sot heqjen e shërbimit Roaming për të gjitha vendet e rajonit.
Qëllimi i marrëveshjes është bashkëpunimi ekonomik, lehtësitë tregtare dhe heqje e taksave. “Ky është hapi i parë pozitiv kështu që nuk do jetë më nevoja që qytetarët e vendeve të rajonit të blejnë numra të rinj telefonësh apo të kenë nevojë për shërbimin Roaming kur udhëtojnë në rajon, në vendet: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Malit i Zi, Kosovë dhe Serbi”, njoftoi Bregu.
Bregu përcolli përgëzime ndaj të gjitha ekonomive të Ballkanit Perëndimor, dhe natyrisht Këshillit për Bashkëpunim Rajonal për nënshkrimin e marrëveshjes së roaming falas në Samitin për Digjitalizimin në Beograd.
Marrëveshja Rajonale për shërbimin Roaming do të ulë kostot duke filluar nga korriku i këtij viti, duke i hapur rrugën “Fol si n’shpi” (RLAH) me kosto zero në vitin 2021. Marrëveshja Rajonale për Roamig ka një vlerë simbolike të rëndësishme për rajonin, pasi ndjek linjën e harmonizimit me BE. Ndërkaq, vlera e saj qëndron gjithashtu në faktin se kjo marrëveshje ka një impakt direkt dhe të menjëhershëm tek qytetarët e Ballkanit Perëndimor, duke bërë që ata të përfitojnë dhe të kursejnë./Ata