Shqipëria, Emiratet Arabe dhe Italia bashkohen në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.
Në Abu Dhabi u nënshkrua sot marrëveshja Shqipëri – Emiratet Arabe – Itali për investimin në lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë në detin Adriatik, si edhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkrua nga zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, në prani të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Marrëveshja u nënshkrua në Abu Dhabi, në kuadër të eventeve të Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025, (Abu Dhabi Sustainability Week (ADSW).
ADSW është një platformë globale, e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe lideri i saj i energjisë së pastër, Masdar, për të adresuar sfidat më emergjente të qëndrueshmërisë në botë, përmes diskutimeve të përbashkëta mes vendeve, që përshpejtojnë zhvillimin e përgjegjshëm dhe nxisin përparimin gjithëpërfshirës ekonomik, social dhe mjedisor.