Në familjet shqiptare vijon akoma tradita që vajzat të fejohen në moshë fare të vogël dhe për më tepër, pa dëshirën e tyre. Një gjë të tillë e tregon fare mirë një rast në një fshat të Peshkopisë.
Një 18-vjeçare, Fatbardha, i ishte drejtuar emisionit “Ka një mesazh për ty” për të gjetur një zgjidhje për problemin e saj. Ajo rrëfeu se që nga ndarja nga jeta e babait të saj 5 vjet më parë, familjarët e tjerë kanë tentuar ta fejojnë, me ose pa dëshirë.
Ajo tregoi edhe sesi po pengohet të studiojë dhe të vijojë rrugëtimin e dijes.
“Familja ime përbëhet nga katër anëtarë. Mamaja, motra, unë që jam më e madhja dhe vëllai i vogël. Babai ka ndërruar jetë, bën gati 5 vite në Qershor, nga një sëmundje e keqe tumor-malinje pankreas. Babai para se të sëmurej nga kjo sëmundje ka qenë edhe me depresion, me sëmundje mendore. Kjo gjë ka ndikuar edhe tek ne fëmijët, duke qenë se ai ushtronte dhunë.
Edhe me të vërtetë. unë nuk e di çfarë është figura e mashkullit ose e babait për shembull, që të kem ndjerë ndonjëherë dashurinë e tij. Por në fund të fundit nuk i vë faj, se ai ka qenë me probleme mendore. Por dua të vazhdoj tek çështja ime tani. Mua kanë tentuar shumë herë të më fejojnë, mamaja, të afërmit, mbasi mbarova shkollën e mesme, domethënë kisha shpresë se do e vazhdoja dhe të lartën…
Është diçka shumë e çuditshme për mua, që çuni është jashtë emigrant, ndërsa vijnë vjehrri dhe vjehrra për shembull, edhe merren vesh prindërit në radhë të parë, pastaj, në qoftë se do goca mirë, në qoftë se s’do prapë duhet të thotë patjetër po, kjo është më e keqe”, u shpreh Fatbardha.
Për ta ndihmuar ta kapërcejë këtë rast në jetën e saj, ajo kishte ftuar në studio djalin e xhaxhait të saj. Duke qenë se ai e ka ndihmuar në shumë raste familjen e saj, edhe këtë herë Fatbardha iu drejtua Shpëtimit.
“Po me vërtetë ka qenë dhe është shpëtimi im. Pasi mbarova gjimnazin, që pretendoja të vija këtu të vazhdoja shkollën e lartë, i shkrojta edhe i kërkova të më ndihmonte, të rregullonte ndonjë bursë ose ndonjë gjë…
Edhe ai kishte rregulluar një gjysmë burse, por aty filloi kundërshtimi i parë, mbyllja e parë për shkollën për shkak se kundërshtuan të afërmit e tjerë. Çdo mënyrë komunikimi ka qenë në formën e debatit, edhe prandaj e kam thërritur që të paktën të bindë mamanë që të vazhdoj një kurs.. Një kurs për call center, anglisht”, vijoi më tutje 18-vjeçarja.
I afërmi i saj, Shpëtimi kërkoi nga ajo që të angazhohet se nuk do ta zhgënjejë familjen. Ai sqaroi se kjo është një nga arsyet kryesore pse familjarët e Fatbardhës bëhen pengesë për shkollimin e saj.
“Ata kanë arsyet e tyre. Ka një frikë se ardhja e Bardhës këtu, në një ambient të panjohur, me problematika. Duke pasur parasysh këto, xhaxhallarët e mi, por edhe nusja e xhaxhait kanë merak, se ajo është drita e syve duke qenë se është fëmija i parë.
Zotimi që do kërkoja prej Bardhës është që t’i drejtohet nënës së vetë së pari dhe të marrë angazhimin që jo vetëm nuk do t’i zhgënjejë, por do të përpiqet maksimalisht për të qenë shumë mirë në mësime. Do jetë studente shembullore dhe duke qenë e tillë, do gjejë edhe punë dhe unë prapë do loboj në këtë drejtim që ajo të gjejë një vend të mirë pune.
Ndoshta, duke qenë se ajo ka pasion shkencat kompjuterike, unë kam një vend vakant aty tek puna. Unë do zotohem që do qëndroj maksimalisht në krahun tënd”, deklaroi ai.
(M. I./ Faxweb.al)