Prej dy ditësh mediat ndërkombëtare kanë nisur t’u kushtojnë një rëndësi më të madhe çështjeve të ngrohjes globale. Kjo për shkak se dy ditë më parë, një ajsberg gjigant, me sipërfaqe pak më të madhe se 1/5 e Shqipërisë, u shkëput nga kontinenti i ngrirë i Antarktidës.
Lajmi bëri bujë në mediat ndërkombëtare, pasi është parë nga ekspertët si paralajmërim për diçka më të madhe.
Ajsbergu me sipërfaqe 6 mijë kilometër katror peshon rreth 1 trilion ton dhe me shkrirjen e tij do të ketë telashe pasi paralajmëron ngritje akoma më të madhe të temperaturave. Kjo ka bërë që mediat ndërkombëtare të interesohen edhe për pasojat afatgjata të ngrohjes globale.
Gazeta më e madhe në Gjermani, “Bild” ka përgatitur një hartë të këtyre pasojave dhe lajmet nuk janë aspak të mira për shumë shtete, mes të cilëve edhe për Shqipërinë.
Harta e përgatitur nga “Bild” tregon sipërfaqet që do të zhyten në ujë, me rritjen e nivelit të deteve në botë.
Në këtë hartë, do të zhyten nën ujë sëbashku me Hamburgun, edhe me një pjesë e Berlinit në Gjermani, kryeqyteti i Suedisë, Stokholmi si edhe ai i Holandës, Amsterdami.
Mirëpo ndër vendet më të goditura bëjnë pjesë padyshim edhe Rusia, Ukraina dhe Italia. Madje edhe shqipëria paraqitet në rrezik. Kjo sepse pritet të zhytet në ujë një pjesë e madhe e Ultësirës Perëndimore.
Niveli i deteve pritet të rritet me 1.5 metër, deri në fund të këtij shekulli dhe nëse ngrohja globale nuk ndalohet ky skenar mund të ndodhë. Sigurisht pas disa shekujsh.(D.D/Shuplaka)