Cristiano Ronaldo ka folur për rivalitetin e tij shumëvjeçar me Lionel Messin. Të dy yjet e futbollit tani janë në perëndim të karrierës së tyre, teksa argjentinasi duket se do e mbyll rrugëtimin e tij në SHBA, ndërsa portugezi në Arabinë Saudite. Në një intervistë Ronaldo u shpreh se fansat e tij nuk kanë pse ta urrejnë Messin, pasi ata të dy janë lojtarët që ndryshuan historinë e futbollit.
“Nëse ti e pëlqen Cristianon, nuk ke pse urren Messin. Të dy ndryshuan historinë e futbollit dhe janë të respektuar. Rivalitet? Unë nuk i shoh këto gjëra kështu, ne e ndamë skenën për 15 vite. Nuk po them se jemi miq, por ne e respektojmë njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Ronaldo dhe Messi kaluan pothuaj 1 dekadë së bashku në La Liga, teksa u përballën në një nga rivalitetet më të forta në botën e futbollit që nuk la pa prekur edhe fansat e tyre. Klasikja Real-Barcelona me Ronaldon dhe Messin në fushë ka qenë gjithnjë nga sfidat më të ndjekura në botë.