Nesër mbahet raundi i parë ligjor për Presidentin e Republikës në Parlament. Por ka pak gjasa që nesër të propozohet një emër konkret pasi nuk ka pasur ende lakim publik të emrave të mundshëm
Nga ana tjetër, ngërçi mes partive politike mesa duket ka bërë që të shtyhet data për regjistrimin e koalicioneve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Afati i përcaktuar ishte data 19 prill, por edhe kjo datë flitet se do të shtyhet për në 2 maj.
Opozita prej 2 muajsh është shprehur për bojkot të zgjedhjeve duke kërkuar qeveri teknike si kushti për të marrë pjesë në proces.
Pas tejkalimit të 10 prillit si data limit kur partitë mund të regjistroheshin për zgjedhje, tashmë edhe 19 prilli si data e regjistrimit të koalicioneve flitet se do të shtyhet. Kjo datë vjen sepse brenda 29 prillit çdo parti duhet te paraqesë listën e kandidatëve për deputet por duke qenë se kjo dite qëllon e shtunë dhe 30 prilli e diel, datat do të zevendesohen duke bërë që 2 maji të jetë afati kur do të mësojme nëse do të ketë parti, koalicione apo kandidatë që do të marrin pjesë në zgjedhje. Pra partive mendohet se do t’u jepet kohë deri më 29 prill, kohë kur kodi parashikon depozitimin e listave shumëemërore të partive .
Sipas analistit Preç Zogaj, zgjedhjet nuk kanë mundësi që të bëhen me 18 qershor. Problemi sipas Zogajt se është se palët politike kanë humbur shumë kohë fizike për të arritur në negociata.
“Kjo është një krizë që po bërtet prej disa javësh, dhe nuk ka zgjidhje. Do të digjen afatet kohore”, u shpreh ai. Ndërkohë nga ana tjetër, Mentor Nazarko mendon se ka mundësi.
Sipas kodit zgjedhor të Republikës së Shqipërisë partitë politike si subjekte më vete duhen të regjistrohen jo më vonë se 70 ditë para zgjedhjeve.
Këtë gjë tani e kanë bërë PS-ja dhe aleatët e saj, por pa LSI-në, ndërkohë që PD-ja dhe partitë rreth saj kanë refuzuar të regjistrohen.
Nesër në 19 prill skadon ligjërisht edhe afati i regjistrimit të koalicioneve. Pra PS dhe LSI kanë kohë ligjërisht deri nesër në darkë që të vendosin nëse do futen së bashku apo jo. Sipas nenit 65/1 koalicionet elektorale duhet të regjistrohen jo më vonë se 60 ditë nga data e zgjedhjeve. (M.D/ Shuplaka)