Dita e nesërme duket se do të jetë dita më e ngarkuar politikisht për audiencën shqiptare dhe televizionet.
Kryeministri Rama, kreu i PD-së, Basha dhe kreu i Kuvendit, Meta do të jenë të tre live në tre televizione në të njëjtën orë.
Por kjo do të jetë edhe përplasja e fortë për audiencën në televizionet respektive.
Kryeministri Rama do të jetë në një intervistë për Ylli Rakipin në emisionin “Të paekspozuarit”.
Në fakt është zbardhur çfarë përgjigjesh do të japë nesër Ilir Meta në emisionin ‘Arena’ të Dritan Hilës në ”Ora News”. Kandidati për president, çfarë do të bëjë me koalicionin dhe a do të dalë nga qeveria. Këto janë ato që pritet të komunikojë Meta me drejtuesin e emisionit Hila.
“Nesër me njeriun kyç, Ilir Metën, i cili më ka premtuar se ekskluzivisht në “Arena” do t’i komunikojë publikut gjithë përgjigjet që ai pret: Cili do të jetë kandidati për president i LSI, çfarë do të bëjë me koalicionin, a do dalë nga qeveria. Çfarë mendon për Edi Ramën, Berishën dhe Bashën. Me cilin nga këta është ndjerë më komod në qeverisje. A beson se Shpëtim Idrizi do t’i qëndrojë platformës që paraqiti. Të enjten në ora 21.00 në “Arena”, në Ora News”,- shkruan Hila.
Tre televizionet nesër pritet të kenë fluks të madh audience.
Me interes të madh pritet gara e shifrave të audiencës pas mbarimit të emisioneve për të parë se ku e kanë çuar shqiptarët telekomandën teksa klima politike është shumë e nxehtë dhe teksa zgjedhjet po vijnë.
Darka e “Pazarit të Ri” me sa duket nuk arriti të zgjidhë krizën e cila tashmë ka përfshirë edhe të majtën. Meta ka deklaruar se nëse Rama nuk krijon besim për opozitën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, atëherë LSI nuk do marrë pjesë në zgjedhje
Rama dhe Meta qëndruan bashkë më shumë se 4 orë në darkën e “Pazarit të Ri”, por në fund u larguan veç e veç. Ilir Meta, 24 orë më pas, pas një mbledhjeje urgjente kryesie të LSI-së, do të deklaronte se megjithëse ishte gati të ribënte edhe një herë marrëveshjen e bashkëqeverisjes me PS-në, vendit i duhej një qeveri e besimit zgjedhor, e cila do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe përfshirjen e opozitës në to. Në të kundërt ai deklaroi se LSI nuk do të bëhet pjesë e zgjedhjeve, çka do të thotë jo vetëm prishje e koalicionit, por edhe futje zyrtarisht e vendit në një krizë të thellë politike.
(M.D/ Shuplaka)