Gjatë ditës së nesërme në Kukës pritet të ketë një protest nga ana e qytetarëve kundër vendosjes së taksës në Rrugën e Kombit. Kësaj proteste pritet që t’i bashkohen qytetarët, këshilli bashkiak i Kukësit si dhe shoqatat e biznesit.
Grumbullimi do të bëhet në afërsi të traut rreth orës 11 e 30 të paradites së nesërme, ku kryhen edhe pagesat nga ana e qytetarëve. I ftuar në ‘’Fax News” aktivisti Arben Kola është shprehur se qeveria ka shfrytëzuar këtë kohë që ishte e ftohtë për të vendosur traun.
Ai thotë se çmimi është abuzim, dhe se qeveria duhet që t’i thërrasë mendjes, pasi qarku i Kukësit është një nga qarqet më të varfëra të vendit, dhe qytetarët do të bllokohen.
Kola thotë se qytetarët do të nisen nga Tirana duke filluar nga ora 8 e mëngjesit, dhe secili prej qytetarëve do ta paguajë vetë biletën e tij.
‘’Kjo taksë rëndon mbi të gjithë qytetarët e Kukësit, Prizrenit, Gjakovës, pra të gjithë qytetarëve që e kalojnë shpesh këtë rrugë. Është lajm shumë i mirë kjo protestë, pasi po dalim jashtë politikës, është një lëvizje qytetare. Reagimi është shumë i madh, po gjithçka do të varet nga protesta e nesërme.
Protesta kërkon ndalimin e menjëhershëm të marrjes së kësaj takse, pasi e kanë thënë të gjithë ekspertët. Ajo që ne e kundërshtojmë me forcë këtë taksë për shkak se është abuzuar me çmimin, ajo rrugë është ende e pambaruar, dhe kur të mbarojë mund të negociohet për vendosjen e tarifës.
Barra që bie mbi qytetarët e Kukësit dhe të gjithë qytetarët e Dardanisë, përkthehet menjëherë në rritjen e çmimeve, vetëm bileta për në Tiranë ishte rritur me 100 lekë. Është reflektuar menjëherë. Qeveria duhet që të reflektojë, nëse ka sadopak logjikë. Duhet të reflektojë pasi do të ketë zgjim qytetar, pasi qytetarët janë duke e kuptuar kurthin. Qeveria duhet me i thirr mendjes.
Ne kemi aplikuar për një protest paqësore, duke vënë në dijeni Policinë e Kukësit dhe drejtorinë e përgjithshme të Policisë në Tiranë. Këshilltarët bashkiakë janë ata që kanë ngritur zërin të parët, pa dallim partie. Edhe 2 mijë lekë të vjetra është shumë për banorët e kësaj zone ”, u shpreh Kola.
(E.K/FAXWEB.AL)