Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të takohet të hënën me të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff gjatë një vizite në Uashington. Takimet e Kryeministrit Netanyahu do të jenë të përqëndruara te armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit dhe çështje të tjera rajonale.
Zyra e Kryeministrit Netanyahu tha se ai dhe zoti Witkoff do të diskutojnë qëndrimet izraelite mbi armëpushimin.
Këtë javë pritet të fillojnë negociatat për fazën e dytë të armëpushimit, ku të dyja palët duhet të bien dakord për çështje të tilla si lirimi i pengjeve që ende mbahen nga Hamasi dhe përfundimin e konfliktit që filloi në tetor të vitit 2023.
Pas takimit me Kryeministrin Netanyahu, zoti Witkoff do të bisedojë me zyrtarë nga Egjipti dhe Katari, dy vendet e tjera që kanë ndërmjetësuar negociatat e armëpushimit.
Kryeministri Netanyahu do të takohet të martën me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump. Kryeministri izraelit tha se bisedimet do të përfshijnë luftën kundër Hamasit, kundërshtimin e agresionit iranian dhe zgjerimin e marrëdhënieve diplomatike me vendet arabe.
Presidenti Trump është mbështetës i vendosur i Izraelit, por gjithashtu u zotua për t’u dhënë fund luftërave në Lindjen e Mesme dhe mori meritat për ndërmjetësimin e marrëveshjes së armëpushimit.
Gjatë fazës së parë të armëpushimit, e cila zgjat gjashtë javë, Hamasi ka liruar 18 pengje në këmbim të qindra të burgosurve palestinezë të mbajtur nga Izraeli.
Hamasi, i përcaktuar si organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ka rikthyer shpejt kontrollin e tij mbi Gazën që kur u arrit armëpushimi muajin e kaluar, pavarësisht se Izraeli tha se nuk do të lejonte që kjo të ndodhte. Militantët palestinezë kanë thënë se nuk do të lirojnë më pengje të planifikuar për t’u liruar në fazën e dytë të armëpushimit pa fundin e luftës dhe tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga territori i ngushtë përgjatë bregut të Detit Mesdhe.
Kryeministri Netanyahu është nën trysni në rritje nga partnerët qeverisës të ekstremit të djathtë për të rifilluar luftën pas përfundimit të fazës së parë të armëpushimit në fillim të marsit.
Nuk është e qartë se çfarë qëndrimi ka për këtë Presidenti Trump.
Kryeministri Netanyahu ka thënë se Izraeli është ende i përkushtuar për një fitore të plotë mbi Hamasin dhe kthimin e të gjithë pengjeve të kapur në sulmin terrorist të 7 tetorit të vitit 2023. Gjatë këtij sulmi u vranë 1200 njerëz dhe 250 të tjerë u morën peng. Disa dhjetëra mbeten në duart e Hamasit.
Përgjigja ushtarake e Izraelit gjatë 15 muajve të luftës, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë në Gazë që kontrollohet nga Hamasi, ka vrarë më shumë se 47,400 palestinezë. Ushtria izraelite thotë se numri i të vdekurve përfshin 17,000 militantë të vrarë prej tyre.
Pavarësisht arritjes së armëpushimit, sulmet periodike vazhdojnë.
Një sulm ajror izraelit në një automjet në qendër të Gazës plagosi pesë persona të dielën, përfshirë një fëmijë që është në gjendje kritike, sipas Spitalit Al-Awda. Ushtria izraelite tha se qëlloi mbi automjetin sepse po anashkalonte një pikë kontrolli ndërsa po shkonte drejt veriut në kundërshtim me marrëveshjen e armëpushimit.
Presidenti Trump ndërmjetësoi marrëveshjet e normalizimit të marrëdhënieve mes Izraelit dhe katër vendeve arabe në mandatin e tij të parë. Ai tani kërkon një marrëveshje më të gjerë në të cilën Izraeli do të krijonte lidhje me Arabinë Saudite.
Por Riadi ka thënë se do të pajtohet me një marrëveshje të tillë nëse lufta në Gazë do të merrte fund dhe do të trasohej rruga për krijimin e një shteti palestinez në Gazë, Bregun Perëndimor, Jeruzalemin lindor dhe territoritet e marra nën kontroll nga Izraeli gjatë luftës së vitit 1967.
Shtetet e Bashkuara mbështesin krijimin e një shteti palestinez, por qeveria e Kryeministrit Netanyahu është kundër.
Pavarësisht që armëpushimi në Gazë kryesisht është respektuar për dy javë, Izraeli ka shtuar operacionet në Bregun Perëndimor. Të dielën, ushtria tha se po zgjeronte operacionin e përqëndruar fillimisht në qytetin e trazuar Xhenin, në qytetin Tamun.
Bregu Perëndimor është përballur me rritje të dhunës që nga fillimi i luftës në Gazë ndërsa Izraeli kryen bastisje pothuajse ditore. Ka pasur gjithashtu një rritje të dhunës së kolonëve izraelitë kundër palestinezëve dhe sulmeve palestineze ndaj izraelitëve.voa