Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bën të ditur se nga data 1 janar 2025, Shqipëria po pranon Certifikatat e Qarkullimit EUR.1 të lëshuara në mënyrë elektronike nga vendet pjesëmarrëse në Konventën Pan-Euro-Mediterriane.
EUR.1 njihet si certifikata më e rëndësishme në tregtinë e jashtme në kuptimin ligjor, veçanërisht në kuadrin e disa marrëveshjeve dy dhe shumëpalëshe të sistemit preferencial pan-evropian (marrëveshja e asocimit me Bashkimin Evropian).
Bazuar në njoftimin e publikuar më 30 dhjetor 2024, në gazetën zyrtare të Bashkimit Evropian, në lidhje me lëshimin elektronik të certifikatave të qarkullimit EUR.1, deri tani vendet të cilat lëshojnë certifikata elektronike dhe që vendi ynë zbaton një marrëveshje të tregtisë së lirë janë Norvegjia dhe Turqia.
Certifikata e origjinës EUR.1 është një dokument që vërteton origjinën preferenciale të mallrave me origjinë nga një palë kontraktuese si: vendet e BE-së, vendet CEFTA, vendet EFTA, Turqia, Mbretëria e Bashkuar që importohen në Shqipëri, apo eksportohen nga Shqipëria drejt këtyre vendeve me qëllim përfitimin e trajtimit preferencial.
Kjo certifikatë lëshohet nga autoritetet doganore pranë të cilës kryhen procedurat e eksportit, mbi bazën e aplikimit të bërë me shkrim nga eksportuesi, apo përfaqësuesi i tij zyrtar.