Që nga afrimi i afateve kushtetuese për regjistrimin e partive në zgjedhje janë bërë përpjekje për të bindur opozitën që të marrë pjesë në to.
Në tryeza janë ulur ambasadorë dhe përfaqësues të BE-së, janë ulur negociatorë po ende asnjë zgjidhje.
Duke marrë shkas nga lëvizjet dhe takimet e fundit mes Mediut dhe Agaçit, mes Mediut dhe Lu-së, mes Dukës dhe Nanos, kemi sjellë disa nga lëvizjet dhe takimet në përpjekje për të bindur opozitën.
Gjithçka nisi me një takim mes ambasadores Romana Vlahutin dhe përfaqësuesit të BE-së Eduard Auer. Në takimin me partitë e vogla të koalicionit opozitar ai tentoi të bindtte ato që të hynin në zgjedhje pa PD-në.
Kryetari i opozitës, Lulzim Basha, dhe përfaqësuesit kryesorë të koalicionit opozitar u ankuan përmes një shkrese në Bashkimin Europian për deklaratat e Auer.
Shqetësimin në lidhje me këtë çështje, koalicioni opozitar ia ka shprehur edhe ministres së Jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini.
TAKIMI MEDIU-AGAÇI:
Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi është parë dje duke konsumuar një kafe me kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu,
Një takim kokë më kokë në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë. Në fotot e siguruara nga gazeta “Express”, Mediu dhe Agaçi shihen duke biseduar me njëri-tjetrin, një takim që flitet se ka zgjatur rreth një orë e gjysmë.
Nuk dihet se çfarë kanë diskutuar mes tyre kreu i partisë opozitare me Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë. Pas taskimit Mediu u shpreh se ishte rastësi po pikëpyetjet mbeten.
TAKIMI MEDIU-LU:
Ndërkohë që këtë mëngjes Donald Lu ka zhvilluar një takim me kreun e PR-së Fatmir Mediu. Mes të dyve padyshim që është konsumuar biseda në lidhje me zhvillimet politike.
Gjatë ditës së djeshme Mediu e ka lënë të hapur hyrjen në zgjedhje, por në një moment të dytë nëse zgjedhjet do të shtyhen. Pas takimit Mediu u shpreh pro dialogut dhe se gjithmonë ka vend për zgjidhje.
TAKIMI DUKA-NANO
Ditën e djeshme nga informacionet që qarkulluan në media u fol për një takim mes Fatos Nanos dhe Argon Dukës.
Sipas këtyre informacioneve Nano kishte tentuar ta bindtte Dukën që të hynte në zgjedhje duke braktisur në këtë mënyrë protestën e opozitës dhe Lulzim Bashën.
Agron Duka thotë se nuk ka asnjë të vërtetë lidhur me këto informacione. Por nga ana tjetër Duka nuk e mohon se ka patur një takim me Nanon pasi janë miq.
‘’Ne jemi takuar se jemi miq dhe sigurisht që bëmë bisedat e përditshme ku kemi folur edhe për tema të aktualitet. Nuk mund të mos flisnim edhe për politikë”, tha Duka për ”Shuplaka”-n.
Kujtojmë se Partitë Opozitare janë të vendosura që të mos bëhen pjesë e zgjedhjeve të qershorit pavarësisht ftesës së mazhorancës.
Partitë e vogla opozitare nuk kanë pranuar që të jenë pjesë e zgjedhjeve edhe pas negociimit të ndërkombëtarëve. Madje dje kreu i opozitës Basha tha se disa nga partitë janë ofertuar me mijëra euro për të hyrë në zgjedhje. (E.K/SHUPLAKA)
Discussion about this post