Të gjithë i mbajmë mend deklaratat e Ramës për Trump, ku kandidatin për president të SHBA-së, aleatin më të madfh të Shqiptarëve, kryeministri shqiptar e quajti si një rrezik jo vetëm për Amerikën por edhe për botën.
Në fakt ashtu si Rama edhe një pjesë e publikut në Shqipëri nuk e prisnin fitoren e Donald Trump përballë Clinton, pranë sëcilës ishin rreshtuar në shumicë shqiptarët, duke kujtuar edhe ndihmën e madhe që dha bashkëshorti i saj Bill Clinton për Kosovën, kur ai ishte president.
Mirëpo deklarata të tilla si ajo e Ramës minimalisht u konsideruan të papërgjegjshme, madje gazetari i CNN iu drejtua me fjalët: “Kujdes, po flisni për zgjedhjet e një vendi tjetër”.
Trump bëri surprizën e madhe dhe arriti të mposhtë Clinton përkundër të gjitha parashikimeve dhe sondazheve të publikuara.
Në atë kohë Rama u ndodh nën kritika të forta në Shqipëri për mëndjelehtësinë e tij kur kishte folur për Donald Trump.
Ndërkohë që njerëzit rreth tij, edhe ata të zhgënjyer me këtë fitore, mundoheshin ta zbutnin situatën duke përmendur se edhe liderë të tjerë kishin adresuar kritika në drejtim të Trump, ndërsa të tjerë bënin thirrje për qetësi pasi kryeministrin e vendit tonë nuk do ta merrte seriozisht Trump për t’u “hakmarrë” ndaj tij.
Me sa duket këta të fundit kanë pasur më shumë të drejtë pasi në takimin që ka patur presidenti Trump me liderët e të gjithë vendeve që merrnin pjesë në OKB, ku është bërë e zakonit që çifti presidencial i SHBA-ve të realizojë një foto me liderët dhe bashkëshortet e vendeve të tjera, stafi i Trump nuk e ka përjashtuar Ramën, i cili së bashku me bashkëshorten ka realizuar foto me Donald dhe Melania Trump të cilën e ka publikuar vetë Rama në rrjetet sociale.
Ai duket i buzëqeshur krah Trump që dikur e konsideroi një rrezik të madh nëse bëhej president i SHBA-së, por që fati e deshi që kryeministri shqiptar të priste në radhë, ashtu si shumë të tjerë, për të realizuar një foto me të.
Për më tepër Rama këtë herë është treguar dhe shumë korrekt për sa i takon zbatimit të protokollit në aspektin e veshjes, në OKB ka shkuar pa atlete.
Mbase ky është një shembull i asaj se çfarë të bën guximi i tepruar në politikë, e bën dhe ‘Foto Dite’ atë që dikur e quaje rrezik botëror.
(B.H/Shuplaka)