Prej ditës së djeshme Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur COVID-19 zyrtarisht një pandemi, për shkak të numrit të lartë të vdekjeve që ka shkaktuar në të gjithë botën si dhe rrezikut që po shfaq në shumë shtete njëkohësisht.
Vetëm në 24 orët e fundit ka pasur në total 362 të vdekur, shumica e të cilëve janë në Itali, e cila ka përjetuar dje një nga ditët më të zeza të saj, që prej nisjes së përballjes me COVID-19.
Në të gjithë botën në momentet që flasim koronavirusi ka prekur 126 mijë e 392 persona, ndërkohë që numri i vdekjeve të konfirmuara është 4639.
Në morinë e shifrave që publikohen edhe në mediat botërore, është dhe numri i rasteve që janë kuruar dhe atyre që janë ende aktive.
Kështu rreth 73 mijë e të prekurve konsiderohen nga OBSH si raste të mbyllura, përfshirë edhe vdekjet, ndërkohë që në 53 mijë raste të tjera vatra e sëmundjes është ende aktive.
Ashtu siç është thënë dhe më herët rreth 80% e personave që preken nga COVID-19 nuk kanë simptoma të rënda, madje thuhet se mund ta kalojnë këtë virus si një grip të zakonshëm, ndërsa një përqindje më e vogël e pjesës së mbetur ka komplikacione veçanërisht në rrugët e frymëmarrjes.
Një tjetër e dhënë që është pothuajse konstante në shumë vende të botës, është ajo se moshat e treta janë dhe më të rrezikuara nga ky virus, që lidhet mjaft me imunitetin e njerëzve, prandaj dhe qeveritë apelojnë vazhdimisht që këta persona të qendojnë sa më shumë në shtëpi, dhe të shmangin sa më shumë që të munden lëvizjet e tyre.
Ndërkohë më poshtë është dhe lista e shteteve që janë më të prekur nga koromavirusi, e cila kryeson me Kinën, ku edhe shpërtheu epidemia, dhe pas saj vjen Italia, Irani, Koreja e Jugut, Franca, Spanja dhe Gjermania.
Zyrtarët e shëndetit publik dhe epidemiologët nuk kanë ende një mendim të përbashkët për shkallën e vdekshmërisë së virusit COVID-19; parashikimet e tyre shkojnë nga 1 deri në 3.4 për qind të personave të infektuar.
Derimë tani Italia është një nga shtetet që e ka pasur më të lartë numrin e vdekjeve në raport me të prekurit, ndërkohë që ka pasur kritika për menaxhimin që i është bërë situatës nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë atje, dhe qeverisë.
Italia dhe qytetarët e saj reaguan me shumë vonesë lidhur me masat e izolimit që solli përhapjen e mëtejshme të virusit, si dhe shpërfillën direktivat e dhëna nga autoritetet, çka çoi më pas në karantinimin e të gjithë vendin. Në këtë mënyrë Italia shërbeu dhe si një burim për infektimin e mëtejshëm të shumë vendeve të tjera të Europës, përfshirë edhe Shqipërinë.
Kina në fakt është parë derimë tani si një model suksesi, pasi në sajë të masave drastike për izolimin e vendit arriti që të frenonte virusin,. ndërsa nga vatra e tij Wuhani arriti të nxirrej edhe pacienti i fundit, që tashmë ishte shëruar. Kina ndaloi çdo lëvizje të paautorizuar të qytetarëve, madje për një pjesë të tyre ndaloi edhe konsumimin e cigareve si një masë shtesë për sigurinë e shëndetit të tyre.
Padyshim një nga sektorët të dëmtuar më shumë ka qenë ai i ekonomisë, pasi Kina eksporton miliarda dollarë mallra në vende të tjera, të cilat përkohësisht jane pezulluar.
Ndërkohë që në vendin tonë derimë tani janë konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë 23 raste me koronavirus, një prej të cilëve rezultoi fatal me pasojë humbjen e një jete njerëzore, siç ishte ajo e 73 vjeçares në Durrës.
Nga 8 rastet e reja, 2 janë në Durrës, 2 në Elbasan, 1 në Rrogozhinë dhe 3 në Tiranë
“Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 145 raste për COVID-19 dhe në total janë gjithsesj 298 raste të testuara. Deri në këto momente 23 raste kanë rezultuar pozitiv për COVID-19”. Njoftimi u bë publik gjatë komunimit të përditshëm nga zv/Ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli.
5 prej ndodhen në spitalin Infektiv në Tiranë (3 rastet nga i identifikuari i parë me COVID-19, një rast tjetër, 31 vjeçari me banim në Tiranë, me histori udhëtimi me Italinë dhe një grua 45-vjeçare nga Rrogozhina, me histori udhëtimi me Italinë). Gjendja e tyre deri në këto momente është e stabilizuar. Ndërsa 18 raste të tjera (në total) që kanë rezultuar pozitiv janë të vetëizoluar në shtëpi pa probleme të veçanta.
Shpërndarja e rasteve të konfirmuara me COVID-19 është si vijon:
Tiranë – 16 raste
Durrës – 3 raste (njera prej të cilave ka ndërruar jetë)
Lushnje – 1 rast
Elbasan – 2 raste
Rrogozhinë – 1 rast
Të gjitha rastet kanë pasur histori udhëtimi me Italinë.
(E.K/Faxweb.al)