Vdekja e George Michael ka tronditur jo pak fansat, miqtë, familjarët dhe të gjithë ata që kishin dëgjuar të paktën njëherë tingujt e tij.
Ai u shua dje në shtëpinë e tij në Oxfordshire në moshën 53 vjeçare. Artisti ka shitur mbi 100 milionë albume gjatë karrierës së tij.
Lajmin fillimisht e njoftoi agjenti i tij dhe më pas ngushëllime për humbjen e madhe të tij kanë ardhur nga miq e kolegë. Ishte këngëtari Elton John ndër të parët nga miqtë që ka reaguar duke shprehur tronditjen e thellë për marrjen e lajmit.
‘’Unë jam i tronditur thellë. Kam humbur mikun më të mirë. Ai është njeriu me shpirtin më bujar që kam njohur dhe një artist i shkëlqyer. Zemra ime shkon për familjen dhe fansat e tij’’, ka mbyllur reagimin e tij John.
Regjisori Francis Ford Copoola ka shtuar: “’Pusho i qetë Michael, unë nuk mund ta besoj këtë gjë”.
Edhe njëri prej anëtarëve të One Direction, Louis Tomlinson tha: “Pusho në paqe George Michael, ti ishe mbret”.
Ndërkohë që Madona ka kërkuar që viti 2016 të iki sa më parë pasi dhimbja që la pas ikja e George është shumë e madhe.
Familja e tij ka kërkuar që në këto ditë pikëllimi, të respektohet privatësia e tyre.
Po çfarë e karakterizonte jetën e këngëtarit:
Abuzimi i tij me drogën dhe skandalet seksuale ishin pjesë e jetës së tij… Gjatë një interviste të dhënë disa kohë më parë, ai ishte shprehur se për 20 vite ishte ‘përpjekur’ ta sabotonte karrierën e tij përmes abuzimit me drogën si dhe skandalet e shumta seksuale, por kishte qenë publiku dhe krijimet e tij muzikore që nuk e kishin tradhtuar. George ka përfunduar disa herë në spital nga mbidoza e kokainës, por jo vetëm në spital… ai është arrestuar dhe burgosur pasi u kap duke konsumuar sasi të larta kokaine në tualetin e një lokali. Pas qëndrimit në burg, ai tregoi se kjo kohë i kishte bërë shumë mirë dhe kishte reflektuar, ndërkohë që kishte nisur të shkruante dhe albumin e tij të radhës përgjatë kësaj kohë.
Një tjetër anë e errët e tij ishte edhe raporti seksual me të panjohurit. Ylli i muzikës e kishe deklarur me kohë prirjen e tij seksuale dhe pëlqimin për meshkujt. Ai kishte pranuar se për 7 vite kishte bërë seks me më shumë se 500 meshkuj. Michael luftoi për një kohë të gjatë me depresionin, pas vdekjes së partnerit të tij Anselmo Feleppa në vitin 1993, dhe më pas për humbjen e nënë së tij në 1997. Më vonë ai pati një lidhje për 12 vite.
Karrierën e tij George Michael (emri i vërtetë i tij ishte Georgios Kyriakos Panagiotou), i biri i një britaniku me origjinë nga pjesa greke e Qipros, e ka filluar me shokun Andrew Ridgeley. Ata kanë themeluar së bashku duon “Wham!”, i cili në vitet 1980-të ka bërë shumë hite. Këngët më të njohura nga kjo kohë janë “Last Christmas” dhe “Wake Me Up Before You Go-Go”.
Pas ndarjes së tyre, Michael me 1987 ka nisur karrierën solo dhe menjëherë me albumin e parë “Faith” ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm. Në vitet 1990-të ai ka përjetuar shumë vështirësi në jetën private – në veçanti pas vdekjes së nënës, kur ka përjetuar kriza të thella. Michael kishte rënë në depresion dhe ka marrë drogë. Në fund të vitit 2011 ka përjetuar një ndezje të rëndë të mushkërive.
(E.K/SHUPLAKA)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”377″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]