Jo vetëm “Iphone”, bizhuteri e kozmetikë, të cilat do t’i pëlqente çdo vajzë, por ai ka qenë një sponsor i ndërtimit e kompletimit të të gjithë shtëpisë.
Nga pllaka shtrimi, kolltukë, minibar, kundërbufe, perde, dhomë gjumi, tapete, tavolinë kuzhine, së bashku me gjashtë karrige, dy krevate druri të vegjël, dyshekë “Dormeo”, televizor i markës “Sony” dhe dy të markës “LG”, aparat digitalb “HD”, lavatriçe, frigorifer, një pistë vrapimi, 36 m² parket laminat, e deri te disa zogj kanarina e papagaj, së bashku me kafazet e ushqimin, por edhe dy qengja.
Këto janë vetëm një pjesë e dhuratave për të cilat kallëzuesi Barush Ahmeti disponon edhe faturat e blerjeve, të destinuara për shtetasen e prezantuar me emrin Elona Gjoka, me të cilën ai mendonte se do të fejohej.
Prokuroria e Durrësit ka zbardhur të plotë dosjen, ku nga materialet e referuara nga Policia e Shtetit, ka rezultuar se më 22 gusht 2017, është paraqitur përpara oficerëve të Policisë Gjyqësore shtetasi Barush Ahmeti, punonjës i Postës Shqiptare Manzë, shkruan ”Panorama”.
Ai ka kallëzuar se për një periudhë 2-vjeçare ka komunikuar me një shtetase që përdorte numrin celular 0665528XXX dhe 0688434XXX, si dhe një adresë në Facebook me emrin “Elona Gjoka”, e cila pretendonte se do të lidheshin dhe më pas do të martoheshin së bashku.
Sipas dosjes, kjo shtetase, në bashkëpunim me të tjerë, i kanë kërkuar dhe marrë me anën e mashtrimit në kohë të ndryshme shuma të ndryshme parash, sende me vlerë, pajisje, elektro-shtëpiake etj., të cilat kapin një dëm prej rreth 6.000.000 lekësh.
SI NISI NJOHJA NË FACEBOOK
Në muajin mars të vitit 2015, Barush Ahmetin e ka marrë në telefon një numër privat, ku i ka dalë një zë femre që i ka thënë se “…të njoh ty, që punon ke posta e Manzës…”. Dy ditë më pas, Barushit iu bë ftesë nga një adresë në Facebook-un e tij me emrin “Elona Gjoka”. Ai e ka pranuar këtë adresë dhe ka vazhduar të komunikonte me të. Vajza i ka thënë se ishte nga Manza, por jetonte në Itali me familjen e saj dhe se kishte ardhur me pushime në Manzë.
Ajo e ka marrë në telefon me numrin 0665528XXX dhe 0688434XXX. Nga muaji shtator i vitit 2015, ajo i ka kërkuar një ndihmë që t’i blinte një palë divane familjes së Myrteza Beqjas nga Manza. Kallëzuesi i ka blerë në shumën 55.000 lekë dhe ia ka dërguar kësaj familjeje. Në muajin nëntor të vitit 2015, ajo i ka kërkuar që t’i blinte tri dyer druri për familjen e Myrteza Beqjas dhe ai ka shkuar dhe i ka blerë te “Megatek”, në shumën 34.000 lekë dhe i ka dërguar në shtëpi.
MOBILIM E BIZHUTERI
Sipas dosjes së Prokurorisë, pas disa kohësh, Enertila Beqja i ka kërkuar Barush Ahmetit disa bizhuteri floriri, me pretendimin se do të bënin fejesën rreth Vitit të Ri 2016. Ai i ka blerë dy unaza floriri në shumën rreth 30.000 lekë të rinj, si dhe orë, varëse, vëthë floriri në shumën rreth 80.000 lekë të rinj, të cilat i ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas. Në sajë të dëshmisë së Ahmetit, gjatë komunikimeve nga muaji mars i vitit 2016, ajo i ka kërkuar që t’i blinte unaza floriri për familjen e tyre, Myrteza, Emine dhe Enertila Beqja. Ai ka shkuar në Durrës, pranë argjendarisë “Kapedani”, ku ka blerë dy unaza floriri, dy varëse dhe një orë në shumën rreth 200.000 lekësh dhe ia ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas.
Po gjatë kësaj periudhe, ajo i ka kërkuar që të blinte sende të tjera, si pllaka shtrimi, minibar, kundërbufe, perde, dhomë gjumi, tapete, tavolinë kuzhine së bashku me gjashtë karrige, dy krevate druri të vegjël, dyshekë “Dormeo”, televizor i markës “Sony” dhe dy të markës “LG”, aparat digitalb “HD”, lavatriçe, frigorifer, një pistë vrapimi, 36 m² parket laminat për shtresë dhe t’ia kompletonte të gjithë shtëpinë. Ai ka rënë dakordtë shkonte në dyqane dhe, në bazë të fotografive që ky ia ka dërguar në Facebook, ato që i kanë pëlqyer i ka blerë dhe ia ka dërguar.
Të gjithë artikujt kanë qenë në vlerën rreth 400.000 lekë të rinj. Çudia me qentë e papagaj Veç pajisjeve të banesës dhe bizhuteritë, denoncuesi ka befasuar në kallëzimin e tij se i ka blerë dhe i ka dërguar shtetasit Myrteza Beqja edhe tre qen, disa zogj kanarina dhe papagaj, së bashku me kafazet. Gjithashtu, “Elona” i ka kërkuar atij edhe dy qengja, një kënd me kolltukë, një kolltuk tek, një tavolinë së bashku me karrige plastike që rrinë jashtë në verandë.
PAS MOBILIEVE, EDHE MILIONA LEKË
Gjatë vitit 2016, shtetasja e paraqitur me emrin Elona i ka kërkuar shuma të ndryshme, nga 200 deri në 1000 euro, të cilat kallëzuesi Barush Ahmeti ia ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas. Në total, shumat e dërguara shkojnë rreth 10 mijë euro.
Më pas i ka kërkuar që t’i blinte sende shtëpiake të ndryshme, si sobë drush, tuba shkarkimi, katër topa katrama për izolimin e shtëpisë, 30 metra linearë tub për kanalet e ujërave të zeza etj., të cilat ky i ka blerë dhe vlera e tyre ishte rreth 80.000 lekë dhe ia ka dërguar në shtëpinë e Myrteza Beqjas. Telefonat dhe ndihma për të sëmurin Shtetasja e prezantuar me emrin Elona i ka kërkuar ndihmë për djalin e sëmurë të vëllait dhe kallëzuesi i ka dërguar rreth 200 mijë lekë.
Elona i ka kërkuar që t’i blinte dy aparate telefoni “Samsung” dhe dy aparate telefoni “Iphone 6” dhe “Iphone 7 plus” si dhuratë për fejesë. Ahmeti i ka blerë telefonat me një vlerë që shkonte rreth 360.000 lekë. Elona i ka kërkuar disa pajisje shtëpiake, si enë kuzhine, lavastovilje, frigorifer, televizor, si dhe disa pajisje për kozmetikë, ku vlera e tyre arrinte rreth 500.000 lekë dhe të gjitha këto i ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas. Në korrik të 2017-s, me të dëmtuarin Barush ka komunikuar një bashkëpunëtor i “Elonës” (që prezantohej si i ati), i cili i ka kërkuar një shumë prej 5000 eurosh.
Ai ia ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas. Pas disa ditësh, i kërkuan edhe 1000 euro të tjera, të cilat ia ka dërguar po te kjo shtëpi. Gjatë korrikut të vitit 2017, ata i kanë kërkuar që të blinte një qen, një “Iphone 7+”, disa kanarina, si dhe ushqim për to, një palë divane të tjera, si dhe një motor për Myrteza Beqjan, për të cilin i ka dërguar edhe kopjen e kartës së identitetit. Të gjitha këto i ka blerë në shumën rreth 300.000 lekë të rinj dhe i ka dërguar te shtëpia e Myrteza Beqjas.
ZBULIMI I MASHTRIMIT
Gjatë muajit gusht 2017, Barushi ka kuptuar që “Elona” e kishte mashtruar. Ai i ka thënë asaj që kishte një problem te puna dhe i duheshin 100 mijë lekë të rinj. Nga ana e saj ajo i ka thënë që të shkonte e t’i merrte te shtëpia e Myrteza Beqjas. Ai ka shkuar te shtëpia e tij. Pasi i ka rënë ziles, ka dalë Emine Beqja me një zarf në dorë dhe brenda tij ishin 100 mijë lekë të rinj. Të nesërmen ai ka komunikuar me të, ku i ka thënë se i duheshin 5000 euro se kishte probleme te puna.
“Elona” i ka thënë se nuk kishte ku t’i merrte dhe se do t’ia niste për një mikun e tij ditën e shtunë, pas dy javësh. Ka shkuar herë pas here te shtëpia e Myrteza Beqjas, duke i pyetur se mos kishte ardhur një porosi. I është përgjigjur Emine Beqja që nuk kishte ardhur gjë dhe i ka thënë që të mos shkonte më te shtëpia se do ta vriste. Gjithashtu i ka thënë se ajo nuk e dinte se kush e kishte mashtruar me këto muhabete. Ka shkuar përsëri ditën e shtunë, në datën 12 gusht 2017, te shtëpia e Myrteza Beqjas, për të kërkuar sërish se mos kishte ardhur një porosi. I ësh të përgjigjur Myrteza Beqja se nuk kishte ardhur gjë.
TAKIMI DHE KËRCËNIMI
Ditën e hënë, më datën 14 gusht 2017, Barush Ahmeti ka takuar në mëngjes Myrteza Beqjan, të cilin e ka marrë në makinë dhe e ka pyetur se kush është personi që e ka porositur për të sjellë gjërat te shtëpia e tij.
Ai është përgjigjur se nuk dinte gjë se kush është ai person që e kishte mashtruar. Ai më pas ka zbritur nga makina dhe i ka thënë se “…do të shihemi ndryshe bashkë…” në formë kërcënimi. I dëmtuari Barush Ahmeti ka deklaruar se shumicën e këtyre sendeve deri ditën e fundit kur ka shkuar te banesa e Myrteza Beqjas i ka parë të vendosura aty, si dhe që përdoren nga familja e tij. Ai deklaron se për shumicën e sendeve të blera disponon faturat e blerjes dhe është në gjendje t’i njohë sendet që ka blerë po t’i paraqiten për njohje.