Historitë e suksesit shpesh shihen si të pamundura, ireale apo të largëta fare. Ato ka më shumë gjasa të ndodhin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një shkëlqim magjik hollivudian, por fare pak në komunën e Volketswilit të Cyrihut. Ndërsa e vërteta është se edhe në rrethin tonë të afërt ka gra me vullnet të fortë që e meritojnë po ashtu një yll në (Walk of Fame) marshimin drejt suksesit. Dr. Luljeta Shaqiri-Emini është njëra prej tyre.
Dr. Luljeta Shaqiri-Emini është lindur dhe rritur në fshatin Ramnabuqë, në afërsi të kufirit Kosovë-Serbi. Asaj i është dashur të ecte dy orë në ditë për të ndjekur shkollimin fillor.
“Kjo ishte e nënkuptueshme për ne”, tregon Luljeta Shaqiri, “S’kishim autobus shkollor sepse nuk kishim as edhe rrugë të përshtatshme për qarkullimin e automjeteve të tilla deri në fshatin tonë”. Po ashtu edhe shkolla ishte në rrethana shumë spartane (modeste). Por kjo nuk ndikoi fare që kureshtarja e dijes të humbte motivin në rrugën e arsimimit.
Përkrah prindërve të cilët e përkrahën Luljetën dhe dy fëmijët e tjerë në rrugën e shenjtë të dijes, ishte edhe gjyshi me mënyrën e tij të veçantë empatike që përkujdesej për të. “Gjithmonë kur kthehesha nga shkolla ai më pyeste se si kam kaluar sot dhe çfarë kam mësuar”.
Ndarja nga gjyshi, por edhe nga familjarët tjerë, ishte përjetim shumë i rëndë për 14 vjeçaren.
Kjo ndarje po ndodhte për shkak se familja po e ndiente thellë në vetëdijen e saj peshën e tensioneve etnike e politike që po shtoheshin ditë e më shumë para vitit 1990.
“Filluan me helmimet nëpër shkolla, gjimnaze e universitete shqiptare. Ne duhej madje të kishim kujdes çfarë deklaronim publikisht” tregon psikologia dhe shton “frika ishte gjithmonë e pranishme”.
Një ditë të nxehtë vere të vitit 1990 familja e Luljeta Shaqirit lë atdheun dhe merr rrugën e mërgimit me shpresën për një jetë të sigurt.
Ajo ditë mbetet e paharruar për Luljeten, por ajo thotë se “bukuria e natyrës zvicerane, bjeshkët dhe gjelbërimi ishin një melhem shpirti për frikën të cilën e ndienim ne”.
Mbi motivimin, guximin dhe vullnetin
Pa njohuri të mjaftueshme gjuhësore, përveç se “po” e “jo”, Luljeta pa pasur nevojë për të përsëritur asnjë vit, kalon në vitin e dytë të shkollës së mesme (Sekondare). Derisa shokët e shoqet e gjeneratës gati po absolvonin në trajnimet arsimore dhe po aplikonin për praktikën, ajo nuk besonte në gjetjen e praktikës deri në fund të shkollës.
Por një ditë ajo mblodhi gjithë guximin dhe shkoi në Qendrën Tregtare të Volketswilit, hyri në ordinancën stomatologjike dhe pyeti për një praktikë shkollore. Për befasinë e saj, asistentja përgjegjëse e ordinancës pajtohet dhe pas një jave të suksesshme punë praktike, ajo pranohet për ta ndjekur shkollimin profesional si asistente dentare. Ky ishte suksesi i parë i 15 vjeçares, e cila atëbotë nuk kishte pasur akoma guximin për të ëndërruar diçka të tillë.
Megjithatë, një përjetim nga ditët e shkollës Sekondare ka lënë gjurmë në kujtimet e saj.
Një ditë kur mësuesi u kishte kërkuar nxënësve për të shkruar në dërrasën e zezë rreth aspiratave për profesionin, Luljeta kishte shkruar dëshirën e saj për t`u bërë dentiste. Ky guxim i saj ishte parë me habi dhe me tallje të shokëve e shoqeve të klasës dhe me dyshim të mësuesit, i cili kishte thënë se qëllimi i saj ishte i paarritshëm.
Por kjo Luljetën nuk e kishte dekurajuar, përkundrazi, ajo ishte treguar edhe më e vendosur në rrugën e gjatë drejt rrugëtimit të saj profesional
Dhe kështu, pas absolvimit të suksesshëm si asistente dentare, ajo punoi një kohë në këtë ordinancë, në të cilën më vonë do të trajnonte praktikantët e rinj.
Shkolla e mesme e rregullt atëbotë ishte për të e pamundur. “Për mua ishte shumë e rëndësishme që të mos i ngarkoja prindërit e mi financiarisht, edhe pse babai ditë e natë do të punonte për të siguruar arsimimin tim”.
Rastësisht, ajo do të gjejë një reklamë të gjimnazit të ri të Cyrihut, ku e kupton se ishte mundësia të merrej arsimimi në distancë, pra mësimi i ciklit të lartë për diplomim (Matura). Me mbështetjen emocionale të prindërve të saj dhe punën e saj në ordinancën dentare, Luljeta e arriti këtë qëllim. Gjatë studimeve ajo vazhdoi të punonte, si ndihmës shitëse në Migros, si përkthyese në institucione të ndryshme sociale dhe më vonë si anëtare e stafit në një qendër profesionale për integrim.
Një ngjarje përcaktuese e jetës së saj e bëri të ndryshonte vendimin e saj që të studionte psikologjinë në vend të stomatologjisë. “Në ditën e parë në universitet, në vjeshtën e vitit 2001, unë vetëm mendova: A mund t’i bëj të gjitha?”, kujton sot psikoterapeutja.
Por, sapo ishte ulur në leksionin e parë, ajo e kishte ndier: “Kjo është bota ime!” 10 vjet më vonë, Luljeta u largua nga universiteti me një doktoraturë.
Psikoterapia është ende temë tabu
Në punën e saj si psikoterapeute, Dr. Luljeta Shaqiri ka të bëjë me gra dhe burra të kulturave të ndryshme. Megjithatë, 50% e pacientëve të saj janë shqipfolës. E “nevoja reale, do të ishte më e lartë” mendon ajo. “Psikoterapia si e tillë është mjaft e panjohur dhe një subjekt tabu. Është barazuar me paragjykimet se: nëse shkoj në psikoterapi, të tjerët mendojnë se jam i çmendur. Unë nuk jam i çmendur”
Pragu i ngurrimit për të filluar terapinë është më i lartë për shqiptarët. Megjithatë, psikoterapia është gjithashtu një subjekt tabu edhe në shoqërinë e këtushme. Askujt nuk i pëlqen të pranojë se bën psikoterapi. “Ne jemi ende larg nga realiteti që vizita te një psikolog të jetë po aq normale dhe shoqërisht e pranueshme, si një vizitë e nënkuptueshme te mjeku për ankesa fizike”.
Sipas të dhënave statistikore të punës së saj praktike të 15 viteve të fundit, shkaqet më të shpeshta për të cilat shqiptarët pretendojnë psikoterapi janë çrregullime traumatike. “Përveç kësaj, çrregullime psikosomatike shtohen në formë të akumuluar. Kjo tregon për konfliktet emocionale dhe ato të thella personale, të tilla si krizat familjare ose ngjarjet tragjike e që shfaqen si simptoma fizike dhe parehati.
Dr. Luljeta Shaqiri ofron terapi specifike ose këshillime në grupe të vogla për gratë migrante. Përveç kësaj, ajo është lektore në menaxhimin e integrimit për punëtorët e moshuar dhe migrantët në FHNW. Nga pranvera 2018 ajo do të kthehet në Universitetin e Cyrihut për trajnime pasuniversitare në mbikëqyrje dhe intervizion për psikoterapeutët në formim.
Si punonjëse me kohë të pjesshme dhe nënë e dy fëmijëve ajo është përfshirë në grupin bazë të ”Podiumit të Hapur të Gruas” në Volketswil dhe njëherësh po përgatitet të krijojë një shoqatë për të bashkuar një rrjet mbarëkombëtar të grave që flasin shqip në Zvicër. Përveç kësaj, ajo është e interesuar rreth fushës së motivimit të prindërve dhe fëmijëve që nga mosha e hershme. Sepse kush vë në qendër të vëmendjes promovimin shëndetësor të fëmijëve, vendos themelet për shumë më tepër histori suksesi./albinfo.ch