Mëngjesin e sotëm qarkulloi me shpejtësi lajmi se kreu i PD-së, Lulzim Basha po mbahet në survejim nga ana e Policisë së Shtetit.
Pas këtij lajmi Lulzim Basha ka mbledhur drejtuesit e PD-së dhe të grupit parlamentar.
Në takimin urgjent janë të pranishëm nënkryetarët e PD, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, nënkryetarët e Komisionit të Ligjeve dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, Flamur Noka dhe deputetet Oerd Bylykbashi, Gent Strazimiri dhe Ervin Salianji.
Nuk dihet nëse do të ketë një deklaratë për mediat nga vetë kreu i PD-së, pasi në rast se dyshimet vëertetohen, atëherë do të ishim në prag të një skandali të vërtetë politik.
Menjëherë pas mbledhjes tre deputetë të PD-së janë nisur me urgjencë drejt Drejtorisë së përgjithshme të policisë. Deputetët që janë nisur drejt Policisë janë Enkelejd Alibeaj, Flamur Noka dhe Edi Paloka.
Burime nga PD-ja thonë se ky akt që është bërë nga ana e ministrit Fatmir Xhafaj është totalisht i paligjshëm.
‘’Personalitetet mbrohen nga garda dhe jo nga policia, akti i paligjshëm është dhënë nga Fatmir Xhafaj”, shprehet PD.
(E.K/FAXWEB.AL)