Reshjet e shiut do të nisin që pasditen e sotme në zonën juglindore të vendit, ndërkohë që ditën e nesërme do të përfshihet nga vranësirat pjesa më e madhe e territorit shqiptar. Sinoptikani i Meteoalb, Hakil Osmani zbuloi se reshjet do të vazhdojnë deri në fundjavë.
“Ditën e nesërme, pjesa më e madhe e vendit do të mbetet kryesisht me kthjellime dhe vranësira të pakta, ndërsa pjesa e dytë e ditës do të sjellë zhvillim të vranësirave dhe reshje të karakterit lokal. Kryesisht do të jenë në zonat veriore dhe pjesërisht në zonat qendrore. Reshjet do të mbeten dhe gjatë ditës së premte e të shtunë, kryesisht në karakter lokal dhe më të fokusuara në zonat malore, por edhe zonat qendrore do të kenë prezencë të reshjeve të shiut. Ndërsa dita e dielë do të sjellë mot më të qëndrueshëm në vend”, tha Osmani në Fax News.
Sa i përket fundjavës, sinoptikani sqaroi se zona bregdetare veriperëndimore do të shoqërohet me reshje edhe gjatë ditës së dielë ndërsa moti i mirë për të shijuar detin do të jetë nga Durrësi në Sarandë.
“Zonat bregdetare do të jenë me mot më të qëndrueshëm. Nuk pritet të prishen pushimet pasi reshjet të karakterit local do të jenë vetëm në zonat malore, veriore por zona bregdetare veriperëndimore mund të ketë reshje të pakta shiu por nga Durrësi duke zbritur deri në Sarandë pritet që të kemi mot më të qëndrueshëm dhe më shumë diell”, tha Osmani.(A.M/Faxweb.al)