Operacioni Forca e Ligjit iu ka kërkuar deklarimin e pasurisë dy personave të dënuar në Itali, me banim në Berat. Burime bëjnë me dije se personat që iu kërkohet deklarimi i pasurisë janë:
Gazmend Mahmutaj i dënuar me 25 vite burg për trafik droge, i cili njihet si një nga kriminelët e rrezikshëm në Berat.
Mahmutaj ka qenë i përfshirë dhe në dhunimin e një zyrtari të LSI-së, në vitin 2017, konkretisht kryetarit të LSI-së në Gjoroven të Beratit Krenar Shehu.
“Më kanë dalë përpara në lagjen Uznovë 3 kriminelët më famëkeq të Beratit, Gazmend Mahmutaj, i dënuar me 25 vjet burg për prostitucion dhe trafik droge, Gramoz Toto i dënuar me 18 vjet për prostitucion dhe Ramazan Toto i dënuar me 18 vjet. Ditën për diell më kanë ndaluar me forcë, të shoqëruar nga shumë persona të tjerë dhe të armatosur me automatik dhe pistoleta më kanë shkatërruar makinën”, ka deklaruar drejtuesi i LSI-së në polici asokohe.
Edison Çobo, banues në Berat dhe i dënuar në Itali për trafik droge, i cili njihet ndryshe si person me rrezikshmëri të lartë kriminale për shkak të veprave kriminale që ka kryer ndër vite.
Ai është pronar i një karburanti në aksin nacional Berat-Lushnjë, në vendin e quajtur “Kthesa e Çifligut” dhe i dy lokaleve në Tiranë.
Njoftimi i plotë i OFL-së:
Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, vijon operacioni Forca e Ligjit, në bashkëpunim me strukturat vendore të Policisë, për dërgimin e kërkesave për vetëdeklarim të pasurisë.
Në këtë kuadër, OFL u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë shtetasve:
G.M., banues në Berat, i dënuar në Itali për “Trafikim të lëndëve narkotike”;
E.Ç., banues në Berat, i dënuar në Itali për “Trafikim të lëndëve narkotike”;
Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.
Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.
OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special.
OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.
(E.K/Faxweb.al)