Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaroi se 4-vjecarin e ri do të përfundojnë shumë prej projekteve të mëdha të nisura. Në një intervistë për Fax News, per gazetaren Rugova Dunisha, Veliaj deklaroi se pas 40 shkollave të reja deri më tani, do të fillojë ndërtimi dhe për pjesën tjetër në lagje të ndryshme të kryeqytetit.
“Ne duam që së pari të mbarojmë gjithë ciklin e shkollave. Përtej këtyre 40 është edhe një lot tjetër, me 5 shkolla në njësinë Kashar, lagjja 14, që njihet si zona e Astirit. Unë besoj që eventualisht ajo do të njihet si lagjja e Rilindjes, se është lagjja që ka pësuar më shumë transformim me bulevardin “Migjeni” aty dhe me një rrjet rrugësh dhe të Ujësjellësit të dedikuar, që vjen një linjë apostafat, vetëm për atë zonë, për atë lagje. Sot jemi situatën ku pas rrugëve, pas arteries kryesore të Unazës është rritur vlera e pronës dhe sot jemi në situatën ku tashmë kemi shpronësuar apo kemi fituar me gjyq gjithë kontradiktat që kemi pasur me terrenet. Do të kemi dy shkolla tek Kombinati i Mishit në Yzberisht. Do të kemi dy shkolla të tjera, në Kashar, pra në zonën mes Kasharit dhe Astirit dhe do të kemi edhe një shkollë tjetër që është tek pjesa mes Lanës dhe autostradës, Unazës së Madhe. Dy shkollat e tjera do të jenë; njëra tek liqeni i Thatë, pra gjithë zona e Kopshtit Botanik, ku aty do të ketë 9 – vjeçarja terrenin e vet dhe ndërkohë tek pjesa që është liruar tek parku Olimpik, pasi kanë mbaruar ndërtimet e privatëve dhe toka i ka kaluar Bashkisë do jetë shkolla e mesme “Dritëro Agolli”. Dy shkollat e tjera janë në Sauk, ish spitali i Arabit dhe parkingu i madh i ish Policisë Ushtarake dhe unë besoj që me këtë gjerdan mbyllet përfundimisht historia e shkollave në Tiranë. Jam shumë krenar që kemi bërë 40 shkolla. Është diçka që nuk ka ndodhur, që kur Tirana është shpallur kryeqytet. Në kaq pak vite, kaq shumë punë. Falë edhe ndihmës së qeverisë, e kemi ndarë këtë barrë bashkë me Edin dhe vërtet jam krenar për këtë bashkëpunim dhe dua ta çojmë deri në fund.”, tha ai.
Kryebashkiaku u shpreh se tek “Qyteti Studenti” do fillojë dhe Kampusi Universitar. “Mbaruam me sukses në Universitetin Bujqësor të Kamzës, me 8 godinat atje, mbaruam në Fakultetin e Mjekësisë tek Famacia 10, me dy konvikte atje, kemi bërë katër tek Inxhinieria. Tani ka ardhur koha e Kampusit të Madh tek “Qyteti Studenti”, shtoi ai.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se tek zona e liqenit, përveç Kopshtit Zoologjik që është bërë, do të fillojë menjëherë puna për Kopshtin Botanik. “Kemi humbur shumë kohë me këto cic-micet. Ajo është pronë e Bashkisë, i ka kaluar Bashkisë së Tiranës. Kemi edhe një seancë formale gjyqësore por ne duhet që të fillojmë menjëherë punën për Kopshtin Botanik. Në Farkë ne do të hapim tregun agro-ushqimor. Sot kemi vetëm një treg që është privat dhe që është tregu i Kasharit. 70% e çmimeve që paguhen aty janë vetëm fitim për pronarin. Bashkia s’ka nevojë të fitojë, ndaj edhe tregu agro-ushqimor do e heqë këtë 70% dhe të sigurohemi që edhe fermeri fiton por sigurisht edhe qytetarët e Tiranës kanë fruta e perime më të lira. Është gjynah, rriten këtu në bregun e lumit Erzen dhe ndërkohë çmimet duken sikur janë të eksportit sepse një privat e ka monopol. Ky monopol thyhet”, tha ai.
Veliaj u ndal dhe tek infrastruktura, veçanërisht tek institucionet e reja që do të zhvendosen në Bulevardin e ri si dhe tek terminalet që do të lehtësojnë ndjeshëm transportin në kryeqytet.
“Tek Bulevardi i Ri do të kemi ndërtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, Gjykatës së Lartë, e Muzeut të Artit Modern, Qendrës së Konferencave dhe Kongreseve, me një kapacitet më të madh se Pallati i Kongreseve që kemi sot dhe do të jetë edhe Bashkia e re e Tiranës, pjesa administrative. Tek kthesa e Kamzës, siç e patë edhe në inspektimin që kishim me Belindën, ministren e Transporteve ka filluar puna në dy terminalet. Pra, edhe terminali i trenit, edhe terminali i autobusëve të Tiranës, ndërkohë që në zonën e Lundrës tashmë ka mbaruar terminali lindor dhe do të fillojmë operimin, do të fillojmë pak nga pak të transferojmë linjat dhe lirojmë trafikun tek Qyteti Studenti”, nënvizoi numri një i bashkisë së Tiranës.
Veliaj dha lajmin e mirë dhe të përfundimit të 7 loteve të Unazës së Madhe. “Nëse politika që del e humbur nga 14 maji do kuptojë që një nga arsyet pse humbet është se pengon çdo projekt të qytetit, do të na lërë të punojmë, ndoshta edhe atyre u shtohen shanset, duke provuar diçka tjetër, duke provuar bashkëpunimin në lotet e Unazës dhe jo duke dalë me histeri, që edhe pse janë paguar apo kanë marrë kompensim, në metra katrorë vazhdojnë e bllokojnë punimet. Ne tani do vazhdojmë nga shkolla “Andrea Stefani”, në drejtim të Laprakës është një lot, pastaj kalon në anën e Paskuqanit dhe katër lote janë në anën e Paskuqanit, rihyn në Tiranë në zonën e Tufinës dhe bashkohet tek Kodra e Priftit, kodra e Kokonozëve, në Kinostudio, me gjurmën që vjen nga Farka e Madhe. Ajo do lehtësojë realisht trafikun në Tiranë siç është lehtësuar në pjesën ku ka mbaruar Unaza. Nëse do kemi mirëkuptim, nëse politika nuk do futet në çdo detaj të punëve të Bashkisë do kemi një rezultat në kohë rekord”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.
Ndërkaq, Zona e Lirë Ekonomike e Kasharit do të jetë investim gjigand i Bashkisë së Tiranës.
“Tashmë kemi disa operatorë që janë gati të zhvendosen atje, kryesisht në fushën dixhitale dhe të teknologjisë dhe mezi pres që punësimi i madh i asaj zone Kombinat-Astir të jetë tek zona e lirë Ekonomike e Kasharit. Kemi pasur një feed-back të jashtëzakonshëm. Ende pa filluar puna ka pasur një interesim jashtëzakonisht të madh”, u shpreh Veliaj.