Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen ndër të tjera nga SPAK për fshehje të pasurisë. Në dosjen e SPAK, të siguruar nga Fax News thuhet se nga hetimi ka rezultuar se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar gjendjen e parave.
Fax News ka zbardhur detaje të reja nga dosja e ish-presidentit Meta.
SPAK ka verifikuar interesat private e periodike të subjekteve të Monika Kryemadhit, Ilir Metës dhe personave të lidhur me ta për vitin 2018. Nga verifikimet e deklarimeve të tyre për periudhën Janar-Dhjetor 2018 rezulton se Meta e Kryemadhi kanë deklaruar 13.000 paund shpenzime për vajzën Bora Metaj, 42.279 paund për arsimin e djalit Besar Metaj, 12.800 paund shpenzime të tjera për shkollin e Borës së bashku me Besarin dhe 38.600 paund shpenzime për arsimin e Era Metaj. Në total për arsim janë deklaruar 106.679 paund nga të cilat 26.000 paund janë paguar nga nëna e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi.
Në bazë të transaksioneve bankare, për arsimin e 3 fëmijëve për periudhën Janar-Dhjetor 2018 janë shpenzuar 125.484 paund.
Sipas dosjes së SPAK për periudhën deklaruese nuk është bërë deklarimi i shumës 18.800 paund e shpenzuar për arsimin e Bora Metaj si dhe shuma 3.758 dollarë e paguar për akomodimin në hotelin Intercontinental Willard në datën 02 korrik 2018.
Gjithashtu bazuar në dosjen e zbardhur nga gazetarja e Fax News Vanesa Rrahmani, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi nuk kanë deklaruar se kanë kryer shpenzime për akomodim në hotel në vlerën 474.687 lekë, blerje veshjesh në vlerën 2.417.000 lekë si dhe financimin e llogarisë bankare të Fatime Kryemadhit në shumën 6000 euro, transaksion i kryer në datën 16 korrik 2018.
Gjithashtu ka dyshime se gjatë vitit 2018, shpenzimet në vlerë 1.666.156 lekë të kryera me kartë krediti në emër të Fatime Kryemadhit, janë shpenzime të kryera nga shtetësja Bora Metaj dhe Era Metaj. Këto dyshime vijnë pas lëvizjeve të kryera nga llogaria bankare e Fatime Kryemadhit. Në datën 03 shtator 2017 është kryer një pagesë prej 456 paund për llogari të Universitetit Strathclyde, pra në shkollën e Bora Metaj. Më tej Fatime Kryemadhi ka shpenzuar 3.488.327 lekë për blerje artikujsh në një dyqan në Angli si dhe dyqane të tjera veshjesh. Në bazë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, nëna e Monika Kryemadhit ka zhdoganuar mallra me vlerë 1.822.171 lëkë për vitin 2018, ndërsa mallrat e blera nga karta e saj e kreditit nuk janë dërguar me postë të shpejtë.
Gjatë hetimeve është provuar se Fatime Kryemadhi nuk ka udhëtuar drejt Britanisë së Madhe në atë periudhë kur kryheshin transaksionet, gjë që sjell dyshime se të gjitha këto transferta janë bërë me qëllim përfitimi të dy vajzave të Ilir Metës, Bora dhe Era Metaj./faxweb
Discussion about this post