Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur organizimin e zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Tre janë sfidat kryesore të këtij procesi: vota e diasporës, numërimi elektronik dhe raportimi në KQZ i institucioneve shtetërore në lidhje me aktivitetet dhe veprimtaritë që ndërmerren.
Në lidhje me atë që quhet edhe kryefjala e këtij procesi, pra vota e diasporës, më 11 janar nis procesi i regjistrimit i votuesve që jetojnë jashtë vendit, në portalin e ngritur pranë KQZ. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve janë bërë disa testime operacionale teknike të Platformës Elektronike të Regjistrimit (PER), të cilat kanë rezultuar pozitive.
Testimet u kryen për funksionet kryesore të platformës, duke përfshirë tre komponentët kryesorë: Hapësira e Zgjedhësit, Moduli për Shqyrtimin e Kërkesave dhe Paneli Statistikor në Kohë Reale. Platforma Elektronike e Regjistrimit për votuesit nga jashtë do të jetë e aksesueshme në aplikacionin dhe faqen zyrtare të KQZ-së, duke ofruar përdorim të thjeshtë nga çdo pajisje elektronike që disponojnë qytetarët. Çdo veprim ose komunikim i kryer nga zgjedhësit në platformë do të njoftohet automatikisht në llogarinë e tyre, si dhe në numrin e telefonit ose adresën e e-mail-it të përdorur gjatë regjistrimit.
Në lidhje me votën e diasporës, qeveria ka vënë në dispozicion të KQZ një fond prej rreth 5 mln eurosh që do të mbulojnë shpenzimet që nga dërgimi i fletës së votimit nga Shqipëria, e deri në kthimin e saj sërish në vend.
Kjo pjesë k nevojë për një rregullim ligjor, pasi është parashikuar pagesa vetëm e dërgimit të fletës së votimit në shtetin ku jeton votuesi, dhe kthimi të paguhet nga vetë shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Ndryshimi ligjor kërkon 84 vota, pra për të nevojitet edhe konsensusi nga ana e opozitës.
Pika e dytë i përket faktit se ku do të votohet e numërohet elektronikisht.
Partia Socialiste dhe disa parti të vogla të djathta kanë propozuar qarkun e Tiranës, por nuk është marrë dakordësia e PD, ndërsa pritet një vendimmarrje nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Ndërsa sfida e tretë i përket faktit që 11 janari përkon me afatin kur institucionet publike duhet të raportojnë në KQZ për aktivitetet që do të zhvillohen deri në 11 maj.