Ne tremujorin e parë të vitit, të ardhurat e mbledhura ne buxhetin e shtetit ishin 181 miliardë leke. Shuma është 10% me e larte se vitin e kaluar, por megjithatë qeveria priste te siguronte 182 mld leke.
Buxheti i shtetit ka mbledhur 181 miliardë lekë për 3-mujorin e parë të vitit, ndërsa parashikohej të mblidheshin 182 mld. Megjithatë, edhe pse ka një mosrealizim plani 0.5%, krahasuar me vitin e kaluar, të ardhurat u rritën me 10.2%.
Në treguesit e Ministrisë së Financave, arka e shtetit është zgjeruar nga tatimi i të ardhurave personale, që shënoi rritje me 19% në 3-mujor, e kundërta ka ndodhur me tatimfitimin e bizneseve, i cili ishte 3.4 mld lekë, ose 17% më pak se plani.
Gjithashtu, edhe taksat vendore rezultojnë të mos jenë mbledhur në kohë nga bashkitë, ku del se mungojnë 2.2 mld lekë, ose 27% më pak se planifikimi.
Me mosrealizim plani në masën 10% rezultojnë edhe taksat. Në përgjithësi nga muaji në muaj, edhe pse ka rritje të të ardhurave krahasuar me periudhën paraardhëse, përsëri ka një ndalësim, ku në janar rritja ishte 18.5%, duke zbritur në 12.1% në shkurt dhe më tej në 10.2% në mars.
Sa i përket shpenzimeve, në total për 3-mujorin ka një mosrealizim me 10.5 miliardë lekë, ose 7% më pak sesa plani, veçanërisht tek shpenzimet kapitale.