Është ditë e 321 e luftës në Gaza dhe sipas Hamasit numri i të vdekurve në Rrip ka shkuar në 40 mijë me 92.981 të plagosur. Në 24 orët e fundit të luftës Izraeli është futur më thellë në territorin e Gazës Jugore dhe nga sulmet janë 22 viktima. Shefi i zbulimit ushtarak të Izraelit Gjenerali Aharon Haliva dha dorëheqjen pas 38 vitesh dhe mori përgjegjësinë për dështimin e mbrojtjes së kufirit në sulmin e 7 tetorit të vitit të kaluar ku Hamasi vrau në Izrael 1200 persona dhe mori 109 pengje.
Marrëveshja e negociuar në Doha ka ngecur dhe sekretari amerikan Antony Bliken në vizitën e 9 në Izrael nuk ka arritur të bindë palët për dakordësi. Benjamin Netanjahu nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij për kontrollin ushtarak mbi ‘Rrugën e Filadelfit’, korridorit mes Egjiptit dhe Rripit të Gazës.
Në telefonatën e fundit që ai pati me presidentin amerikan Joe Biden, pranoi të bëjë disa lëshime po jo të lëshojë kontrollin në korridor që për vite u përdor nga Hamas për t’u armatosur duke kaluar kontrabandë armë dhe municione.
Lideri i Hamasit i fshehur në tunelet e Gazës, Yahyah Sinwar ka vënë kusht garancinë e jetës së tij, që për çdo marrëveshje afatgjatë, Izraeli të angazhohet që të mos e vrasë. Por teksa vijojnë presionet për të arritur armëpushimin, forcohen kërcënimet e një lufte me Teheranin.
Aeroplan mbajtësja amerikane Lincoln ka kaluar mes oqeanit Indian dhe gjirit të Omanit dhe tani ndodhet nën flamurin e komandës qendrore të Pentagonit që koordinon operacionet në Lindjen e Mesme. Ajo mban edhe të paktën 5 anije antiraketë. Aeroplan mbajtësja u dërgua nga Shtëpia e Bardhë pas frikës së hakmarrjes iraniane ndaj Izraelit pas vrasjes së liderit të Hesbollah Fuad Shkur dhe eksponentit palestinez Ismael Haniyeh.
Discussion about this post