Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se e kupton zhgënjimin që kanë shqiptarët me BE-në, sa kohë që procesi i Integrimit ka ngecur, edhe pse shtetet i kanë plotësuar kushtet.
Merkel tha se Shqipëria dhe Maqedonia i kanë plotësuar kushtet për anëtarësimin në BE, dhe se kushtet shtesë sjellin zhgënjim dhe humbje besimi në radhët e qytetarëve.
“BE, shtetet anëtare të BE do të duhej nga njëra anë të flasin për kriteret për nisjen e anëtarësimit, në rastin e Shqipërisë e kemi thënë qartë për sistemin e drejtësisë. Në këto kushte, kur porositë plotësohen, nuk duhet të shtohen kushtet e tjera, unë kam mirëkuptim për zhgënjimin që kanë këto vende.
Gjermania lexon me kujdes të gjitha raportet që krijojhen, kur kushtet përmbushen duhet të mbahet fjala, ne duhet të dimë që ti besojmë njëri tjetrit”, u shpreh Merkel në konferencën me gazetarët.
Merkel tha më tej gjatë konferencës se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparime të dukshme dhe në marrëdhëniet mes tyre, ndërsa shtoi se procesi i Berlinit nuk zëvendëson integrimin e tyre për në BE.
Kancelarja tha se pas tërheqjes nga politika aktive ajo do të vijojë të japë këshilla për vendet e Ballkanit, një rajon të cilin tha se e ka shumë për zemër.
(E.K/Faxweb.al)