Ditën e nesërme pritet të kalojë në Kuvend shkarkimi i ministrit Fatmir Xhafaj dhe komandimi në vend të tij i Sandër Lleshit, emër ky që u refuzua që të dekretohej më herët nga ana e presidentit Meta.
Qeveria Rama zgjodhi që të kalonte këtë ngërç ligjor përmes një VKM-je, duke e emëruar Lleshin fillimisht si zëvendësministër të parë të Brendshëm, dhe më pas duke i kaluar atij kompetencat e ministrit.
Por pikërisht në këtë moment ka një paqartësi ligjore se kush do t’ia kalojë kompetencat Sandër Lleshit, do të jetë kryeministri Rama, apo kalimi i kompetencave për Lleshin do të bëhet nga Xhafaj, përpara se ky i fundit të shkarkohet nga Kuvendi.
Në Ministrinë e Brendshme ka tashmë dhe katër zëvendësministra të tjerë, por Lleshi do të ushtrojë kompetencat e lëna nga Xhafaj. Rama ka mbledhur që prej mëngjesit të sotëm Grupin Parlamentar, ku mes të tjerave është vendosur dhe për seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet nesër në Kuvend.
Rama e ka komentuar si antikuishtetues qëndrimin e refuzues të Metës për Lleshin, po ka shtuar se sa kohë që nuk funksionon Gjykata Kushtetuese ai do të gjente zgjidhje të tjera për kreun e rendit.
Kjo nuk është hera e parë që vendi mbetet pa ministër, pasi edhe më herët në vitin 2002 kur Rexhep Mejdani ishte president dhe vendi qeverisej nga qeveria Nano, presidenti refuzoi propozimin e kryeministrit për ministër të brendshëm. Asokohe vendi u drejtua për disa muaj nga zëvendësministri.
(E.K/FAXWEB.AL)