Një ditë pas skadimit afatit për dorëzimin e emrave për këshilltarë të KZAZ-ve nga partitë politike, ashtu sikurse ishte paralajmëruar, misioni i OSBE i përbërë nga 2 këshilltarë për çështjet zgjedhore, Ana Rusu dhe Alexey Gromov, nis vizitën e tij 3 ditore në Tiranë.
Vizita do të zgjasë nga datat 19 deri në 21 mars. Nga axhenda e publikuar së fundmi nga ky institucion për itinerarin që do të ndjekë delegacioni prej 2 këshilltarësh për çështjet zgjedhore shihet se vizita do të nisë me takimin me kreun e OSBE Benard Borchardt rreth orës 15:30 dhe do të vijojë më pas me takimet, ku ato më të spikaturat gjatë ditës së sotme janë me Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe Kreun e Opozitës Lulzim Basha. Takimet do të vijojnë edhe me krerë të partive të opozitës.
Ndërkohë që në ditën e tretë të takimit do të ketë një komunikim të hapur me gazetarët. Në fokus të takimit zyrtar të OSBE-së, pritet të jetë Reforma Zgjedhore dhe situata politike në vend.
Pak më herët Borchard u shpreh se duhet të marrë fund ky bojkotim nga opozita sepse nëse ndodhi sot mund të ndodhë sërish dhe se precedenti shqiptar mund të ndikojë dhe në vendet e rajonit.
I pyetur nga gazetarët se nëse zgjedhjet mbahen pa opozitën a do ti njohë OSBE ato si legjitime, Borchardt nuk ka dhënë një përgjigje të qartë.
“Kjo është diçka që unë nuk e parashikoj dot. Ne pikë së pari e shkurajojmë dhe nuk nxisim aspak bojkotin zgjedhor. Për shumë kohë Shqipëria ka qenë shtylla, apo simbol i stabilitetit në rajon.
Tani ne shohim një veprim në parlament, i cili nuk ka precedentë. Është kritikuar nga gjithë komuniteti ndërkombëtar. Pse? Sepse ndez fitilin, që vë flakën pastaj në gjithë sistemet parlamentare. Pyetja e radhës do ishte kur do kemi parlamentin që e ka mandatin për 4 vjet dhe ta mbyllë për 4 vjet.
Kësaj radhë politikanët e dogjën në 2 vjet, radhës tjetër mund të gjejnë argumente për të marrë një vendim të tillë edhe pas 8 muajsh, ky do të ishte shembull shumë i keq për të tërë rajonin. Ju e dini se në shumë vende ka opozita që bojkoton parlamentin, por kjo nuk funksion se nuk është fare thelbi i demokracisë parlamentar“, tha ai.
Partitë opozitare refuzuan dje të dorëzonin listat me kandidatë për komisionerë të KZAZ-ve (lexo këtu) dhe pas alarmit që ngriti KQZ për plotësimin e këtyre listave (lexo këtu). PS iu përgjigj kësaj thirrjeje, ndërsa zgjedhjet vendore duket se janë në ngërç pas mospërfaqësimit të opozitës në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të qershorit të këtij viti.