Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav ka bërë thirrje për formim të shpejt të institucioneve ta reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Ai tha se Bashkimit Evropian i duhet një partner në qeveri për të punuar dhe diskutuar së bashku për proceset integruese.
Orav i kujtoj Kosovës se Brukseli po e bënë punën e tij teksa ka nisur heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës por për këtë duhet një bashkëpunim i ngushtë me autoritetet në vend.
Ambasadori i BE-së në Kosovë nënvizoi po ashtu nevojën për themelim të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Po ashtu Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde tha se Kosova urgjentisht duhet të formojë institucionet dhe se politikanët duhet të vendosin shtetin të parin.
Sipas Rohde kjo situatë është kthyer në një bllokadë që po ndikon negativisht në perceptimin e Kosovës nga jashtë.
Rohde tha se mungesa e institucioneve funksionale jo vetëm që ndikon në proceset e brendshme të vendimmarrjes, por gjithashtu pengon Kosovën të përfitojë nga iniciativat ndërkombëtare, siç është Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.
“Nuk është puna ime të bëjë punën e politikanëve, unë mund vetëm të observoj por mund të them me siguri se kjo situate nuk e rrit imazhin e Kosovës jashtë vendit. Nëse nuk ke një institucion funksional është e vështirë të bësh detyrat e shtëpisë, sepse nuk ke fuqinë e prokurës të marrësh vendime të vështira, të cilat nevojiten tani sic janë paratë e Planit të Rritjes të BE-së, të cilat janë në pritje për shkak se Kuvendi i Kosovës nuk është funksional, pra nuk mund të ratifikosh marrëveshjen”, ka thënë ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde.
Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde thotë se bllokada në Kuvend vjen si pasojë e mos kompromisit mes partive politike.
Të martën deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin edhe në përpjekjen e 22-të. As në tentimin e radhës, Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk arriti të formojë Komisionin për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit.