Dy persona janë arrestuar në flagrancë në qytetin e Vlorës teksa po tentonin të hidhnin një sasi tritoli në banesën e shtetasit A. Demiri.
Të arrestuarit janë Marlen Gurici, 34 vjeç dhe Bexhet Alliaj, 50 vjeç.
Postimi i plotë:
Parandalohet dhe zbardhet në kohë rekord ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 14.06.2020.
Vihen në pranga porositësi dhe autori i tentativës për vënie të lëndës plasëse, të dy me precedentë të mëparshëm penal.
Sekuestrohen armë zjarri, masa me lënde plasëse të montuara për shpërthim, doza me lëndë narkotike kokainë e heroinë dhe targa automjetesh të vjedhura.
Në vijim të punës për parandalimin e ngjarjeve të rënda kriminale, në të gjithë qytetin e Vlorës janë shtuar patrullimet nga agjentët e Policisë Kriminale. Si rezultat i mbajtjes nën vëzhgim të personave të dyshuar për vendosje eksplozivi dhe falë informacioneve të marra në rrugë operative u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Porositësi”, në kuadër të të cilit u kap në flagrancë shtetasi M. G., 34 vjeç, banues në Vlorë, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Ky shtetas, më datë 14.06.2020, në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Hajro Çakërri” Vlorë, ka tentuar të vendosë një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së shtetasit A. D., por falë ndërhyrjes së menjëhershme të Policisë u parandalua shpërthimi i lëndës eksplozive, pasi autori u kap në flagrancë në momentin që po vendoste lëndën eksplozive.