Policia e Dibrës përmes një komunikate ka dhënë detaje mbi ngjarjen e rëndë të pasdites së djeshme, ku një 18-vjeçar vrau me çifte shokun e tij të ngushtë 27-vjeç. Policia deklaron se vrasja ishte aksidentale teksa të kishin shkuar te “Kodrat e Obokut” për piknik dhe kishin marrë një armë gjahu me vete.
18- vjeçari që kreu krimin po procedohet penalisht për vrasje nga pakujdesia, si dhe një një 23-vjeçar po procedohet penalisht në gjendje të lirë, pasi arma me të cilën është kryer qitja, i përket këtij shtetasi.
Njoftimi i plotë: Dibër/ Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në Maqellarë.
Vihet në pranga 18- vjeçari për vrasje nga pakujdesia, si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë një shtetas tjetër.
Sekuestrohet arma e gjahut tip çifte, me të cilën autori i dyshuar , nga pakujdesia plagosi me pasojë vdekjen 27- vjeçarin.
Strukturat për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me ato të Komisariatit të Policisë Dibër, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Dibër, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në “Kodrat e Obokut”, Maqellarë ku humbi jetën shtetasi G. K., 27 vjeç.
Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit R. GJ., 18 vjeç, banues në Maqellarë, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi E. M., 23 vjeç, pasi arma me të cilën është kryer qitja, i përket këtij shtetasi të cilën e mbante pa lejen e organeve përkatëse.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore , ka rezultuar se shtetasit e lartëpërmendur rreth orës 13.00, datë 17.12.2020, kishin dalë në “Kodrat e Obokut” për piknik, duke marrë me vete dhe një armë gjahu. Gjatë kohës që shtetasi R. Gj., ka bërë qitje ka plagosur aksidentalisht me pasojë vdekjen 27-vjeçarin.
Discussion about this post