Ditën e sotme është zhvilluar te sheshi ”Liria” në qendër të qytetit protesta e radhës në Durrës, me një simbolikë mjaft të veçantë.
Të rinjtë protestues kanë improvizuar një ceremoni funerale dhe me një arkivol në duar mbi të cilin shkruhet ”Kush është tjetri?” i janë drejtuar godinës së Drejtorisë së Policisë Vendore.
Por dhjetra efektivë policie kanë ndërhyrë duke shoqëruar disa prej tyre, pasi sipas efektivëve nuk lejohen grumbullimet mbi 10 veta.
Të rinjtë kanë refuzuar duke u shprehur se kërkojnë të dinë bazën ligjore se pse po shoqërohen.
“Më thuaj bazën ligjore. Unë jam në varrim! Ka vdek drejtësia për Klodianin, se na thoni se është aksident, ka vdek shpresa në Shqipëri. Mos me prek me dorë! Unë jam me katër shokë, nuk është protestë, nuk jemi 10 veta. Mos më kërcëno mua, se po e respketoj ligjin.”- tha protestuesi.
Ndërkohë edhe në kryeqytet është zhvilluar një protestë, ku kërkohet “Drejtësi për Klodianin”, të cilët kanë marshuar drejt kryeministrisë.
Prej ditësh në Tiranë dhe qytete të tjera në vend kanë shpërthyer protestat për vrasjen e të riut nga një efektiv policie mesnatën e 8 dhjetorit në Tiranë.