Policia e Shkodrës ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të ngjarjes së mbrëmjes së kaluar, ku mbetën të plagosur Ndue Mali, dhe Erison Gjeka. Ndërsa autori i kësaj ngjarje Enton Dushaj është shpallur në kërkim.
Policia njoftoi se 35-vjeçari gjatë një konflikti të çastit, ka qëlluar me armë zjarri duke i plagosur në këmbë, shtetasit Erison Gjeka, 24 vjeç, banues në fshatin Bradhaj, Shkodër, dhe Ndue Mali, 24 vjeç, banues në Shkodër, të cilët pas mjekimit të marrë në Spitalin Rajonal Shkodër janë larguar për në banesë.
Ndërkohë emri i Enton Dushajt nuk është i panjohur për policinë, pasi dy vite më parë ai ka rënë në pranga pas një konflikti, i cili kishte përfunduar në të shtëna me armë.
Njoftimi i policisë për ngjarjen e vitit 2018
Policia e Shkodrës parandalon përshkallëzimin e një konflikti të çastit, ku njëri prej shtetasve ka qëlluar në ajër me pistoletë. Falë reagimit të shpejtë të policisë u arrestuan në flagrancë dy shtetasit e përfshirë në konflikt , si dhe dy shokët e tyre për “Moskallzim krimi”.
Nga Strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, u arrestuan në flagrancë shtetasit: Enton Dushaj, 33 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi”, Shkodër, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Prishja e qetësisë publike” parashikuar nga nenet 278, 84 dhe 274 të Kodit Penal
Kristian Shkambi, 26 vjeç, banues në lagjen “Skenderbeg”, Shkodër për veprën penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. Ardit Bajramaj, 27 vjeç, banues në fshatin Llazan, Malësi e Madhe, për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” parashikuar nga nenet 300 dhe 278 të Kodit Penal
Eduard Bajramaj, 38 vjeç banues në fshatin Llazan, Malësi e Madhe, për veprën penale “Moskallëzim krimi” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal. Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Vasil Shanto”, Shkodër, në një lokal, shtetasi Enton Dushaj, është konfliktuar me shtetasin Eduard Bajramaj. Shtetasi Enton Dushaj, në largim e sipër ka qëlluar një herë në ajër me armë zjarri, pistoletë. Me marrjen e njoftimit , Policia ka reaguar në kohë , duke kapur dhe arrestuar dy shtetasit e përfshirë në konflikt, si dhe dy shtetas të tjerë për moskallzim krimi, (shokë të tyre). Policia po vijon punën për gjetjen e armës së zjarrit të përdorur nga shtetasi Enton Dushaj.
Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër për veprime të mëtejshme.