Dy krerët e opozitës, Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi, u kanë uruar 7-Marsin të gjithë mësuesve në vend, me mesazhe të natyrave të ndryshme.
Sipas Kryemadhit, sot mësuesit duhet të ngrihen të gjithë bashkë për të ndihmuar fëmijët dhe të ardhmen e tyre, duke treguar dhe shpirtin rebel të kryetares së LSI-së.
“Sot është dita e mësuesve të Shqipërisë, influencuesve më të rëndësishëm në edukimin e brezit të ri dhe formësimin e të ardhmes së kombit tonë. Ndërsa misioni i tyre i përditshëm shkon te edukimi i fëmijëve, zotimi im për të gjitha familjet shqiptare është kthimi i Shqipërisë në vendin ku mësuesi që ka në duar edukimin e brezave do jetë më i fortë dhe i respektuar, se ai që në duar ka pushtetin apo armët e krimit.
Të dashur mësues, unë besoj te ju dhe misioni juaj! Sot duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të ndihmuar fëmijët tanë. Ngrihuni, hiqni pluhurin nga vetja dhe filloni përsëri nga një perspektivë e freskët. Besoni te profesioni juaj dhe duajeni atë. Zgjoni pasionin që keni për lëndën tuaj ose për të mësuar për dije!
Mençurojini dhe ndihmojini brezat të rriten me dashuri. Ngrihuni çdo ditë dhe bëni atë që bëni më mirë.
Ju do të ndikoni te ata, që të bëhen më të mirë se sa e imagjinoni ndonjëherë. Mësojini fëmijët se ata nuk janë as “djaj “dhe as “engjëj”, ndoshta disa nuk janë aq shumë të zot dhe nuk shkëlqejnë, por ata janë e ardhmja jonë dhe meritojnë gjithë besimin dhe përkujdesjen tonë.
Unë besoj te ju mësuesit e mi! Ju të heshturit gjer në dhimbje , të mëdhenjtë gjer në madhështi!
Gëzuar festën, ju të mirët mësuese! Gëzuar nga mot!”, shkruan Kryemadhi.
Ndërkohë që Basha, ka kujtuar mësuesen e tij të klasës së parë, që sipas tij ka qenë pjesë e rëndësishme e jetës.
“Është kaq e natyrshme që çdo 7 mars sjell ndër mendje mësuesen e klasës së parë. Dhe po kështu të çdo mësuesi dhe pedagogu që ka qenë pjesë e jetës dhe e dijes në çdo hap që kemi hedhur si nxënës dhe studentë.
Ndaj sot dua t’ju uroj nga zemra festën të gjithë arsimtarëve në Shqipëri, të gjithë mësuesve që përtej çdo vështirësie janë përçuesit e përkushtuar dhe të pazëvendësueshëm të dijes tek fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Për lodhjen e përditshme, kushtet shumë herë të pafavorshme të mësimdhënies dhe dinjitetit njerëzor, ata meritojnë të festojnë sot 7 marsin me urimin, shpresën dhe premtimin se ditë më të mira do të vinë për arsimtarët tanë'”, shkruan Basha.
(E.K/Faxweb.al)