I ftuar në intervistën e Fax News, avokati Gylsen Zhllima foli rreth aktualitetit politik në vend dhe më konkretisht rreth ngritjes së Komisioneve.
Ai qartazi shprehu idenë e tij se ngritja e Komisioneve është e panevojshme.
“Komisioni Parlamentar merr rolin e prokurorisë. Ai ngrihet nga anëtarë politik dhe heton rastet e shëndetësisë. Bëhet një hetim, thërriten dëshmitarët dhe aty mund të gjenden vepra penale të ndryshme. Çfarë fitoi PD-ja pa vulë me këtë Komision, kur ndërkohë është regjistruar një kallëzim penal në 2020-ën dhe prokuroria thotë që nuk vendos për diskutim asnjë kërkesë të SPAK-ut. Kur ke besim te drejtësia, përse shkon të krijosh një Komision, kur ti si individ ke thënë se beson në Reformën në Drejtësi?”, tha Zhllima.
Rreth aludimeve se mes Sali Berishës dhe Edi Ramës ekziston një marrëveshje e fshehtë, Zhllima u shpreh se gjithmonë ka pasur një të tillë.
“Ata gjithmonë kanë punuar me marrëveshje. Marrëveshja e tyre ka vijuar që nga 2008-a e në vazhdim. Cenimi i demokracisë vjen nga zgjedhjet e komanduara. Këtu thonë që na kanë shpëtuar liderët e mëdhenj. Hajde gjeje se kush na ka shpëtuar i pari”, tha Zhllima.