“Toni Montana” i Lezhës u dënua me dy vite burg pasi shfrytëzoi për prostitucion një 25-vjeçare, të cilën e kishte njohur nëpërmjet rrjetit social “Facebook”. Kjo masë dënimi u vendos dje nga Gjykata e Apelit të Shkodrës ndaj Filip Shtjefnit.
Për këtë vepër 50-vjeçari u akuzua se bashkë me bashkëjetuesen e tij, L. Marku, të cilët kanë shfrytëzuar për prostitucion shtetasen E. Metolli, 25 vjeçe, në një lokal të marrë me qira në Lezhë.
Përveç prostitucionit për tre ditë me rradhë çifti e ka mbajtur të renë të mbyllur në një banesë, duke e keqtrajtuar derisa vajza është arratisur duke u hedhur nga dritarja dhe më pas ka tentuar edhe vetëvrasjen.
Por në sallën e gjyqit “Toni Montana” hodhi poshtë akuzat, duke thënë se nuk e kishte shfrytëzuar për prostitucion 25- vjeçaren.
“Ajo ka ardhur nga Turqia me dëshirën e saj për të punuar te lokali në Lezhë dhe unë kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me familjen e saj. Po ashtu, nuk e kam keqtrajtuar apo shfrytëzuar për prostitucion”, u shpreh Shtjefni në sallën e gjyqit.
Sipas avokatit mbrojtës, Blerim Bazhdari, nuk ka asnjë provë për këto akuza të ngritura ndaj klientit të tij.
“E vetmja gjë që ka ndodhur është një shpullë që Filip Shtjefni i ka rënë 25-vjeçares për një keqshërbim ndaj një klienti në lokal dhe asgjë më shumë”, tha avokati Bazhdari.
Sipas “Panorama” vëllai i 50-vjeçarit, Dedë Shtjefni, e quan absurd vendimin, duke theksuar se nuk është aspak normale të dënohet me dy vite burg për një shpullë.
“Në gjykatën e Shkallës së Parë në Lezhë na kanë kërkuar para që vëllai im të dalë i pafajshëm, por nuk kemi pranuar sepse ai është i pafajshëm dhe nuk kemi pse të paguajmë asgjë. Nuk mund të dënohet tjetri për një shpullë me dy vite burg”, tha Shtjefni. (J.V/Shuplaka)