Mosdekretimi nga Presidenti Ilir Meta, i të propozuarit të kryeministrit Edi Rama për postin e Ministrit të Brendshëm prej 1 jave është kthyer në një nga temat më të nxehta politike në vend.
Rama u detyrua që të shkonte në Presidencë që të kërkonte sqarime nga Meta, ndërsa ky i fundit u shpreh se nuk ishte i bindur nga Sandër Lleshi, e për këtë arsye nuk e dekretonte.
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Z.Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm.”-thuhet në reagimin e Presidentit.
Kjo bëri që kryeministri të bënte lëvizjen e tij, duke shkarkuar Ish-ministrin Xhafaj me votim në Kuvend, e më pas duke emëruar si zv.ministër të Brendshëm Sandër Lleshin, lëvizje kjo që tregon qartë irritimin e marrëdhënieve mes dy krerëve të shtetit.
Sot një nga njerëzit më të afërt të Presidentit të Republikës, Drejtori i të përditshmes “Koha Jonë”, është takuar me “krahun e djathtë” të kryeministrit Rama, këshilltarin e tij Endri Fuga. Këtë takim Lesi e ka bërë publik me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku shkruante: “Kohë për pak ditë Paqe! (Me këshilltarin kryesor të Kryeministrit Rama, Endri Fugën)”.
Qarqet mediatike e etiketojnë Lesin si një nga njerëzit më të afërt të Presidentit Meta dhe jo më kot mund të themi se Lesi është “ndërmjetësi” apo “pajtimtari” ideal mes Ramës dhe Metës.
Ajo që ka shtuar më shumë dyshimet është fakti se Nikoll Lesi, pasi e ka publikuar një herë foton, e ka fshirë atë.
Nuk dihet nëse Meta do të ndryshojë mendim për dekretimin e Lleshit në postin e Ministrit, ndonëse atij tashmë i janë dhënë këto kompetenca ndërsa qëndron si zëvendës.
(B.B/ Faxweb.al)
Discussion about this post