Pas deklaratave të Monika Kryemadhit në Lezhë lidhur me praktikat e Maturës Shtetërore dhe Reformës në Arsim, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla kundërpërgjigjet përmes një letre të hapur.
Reagimi i Nikollës ndaj deputetes është tej mase i ashpër pasi i përmend edhe punën që bashkëshorti i saj, njëkohësisht kreu i Kuvendit Ilir Meta, ka bërë për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit. Përmendja e Metës në këtë rast, jep përshtypjen sikur Nikolla përpiqet t’i bëjë presion Kryemadhit.
LETRA E NIKOLLES:
“E dashur Monika,
Dëgjova me habi prononcimin tënd kundër praktikës së re të Maturës Shtetërore!
E mirëkuptoj klimën e vigjiljes së fushatës, ashtu siç mirëkuptoj çdo kritikë, edhe nga ti vetë, pavarësisht se jemi shpjeguar jo një herë sy më sy për Maturën Shtetërore. Praktika e re e Maturës Shtetërore që krijoi kushte krejt të reja konkurrueshmërie dhe transparence, është fryt i një pune të madhe e të përbashkët. Siç ti e di fare mirë ka qenë një proces gjithëpërfshirës, ku janë dëgjuar me shumë respekt edhe vërejtjet e grupeve parlamentare, përfshirë dhe LSI-në. Jo vetëm kaq, po vetë Kryetari i Kuvendit ka ndihmuar personalisht për zhvillimin e një debati të brendshëm shumë konstruktiv mes përfaqësuesve politikë dhe ekspertëve të partive të koalicionit.
Asgjë nuk është perfekte dhe gjithshka është e përmirësueshme, padyshim edhe kjo praktikë e re dhe e suksesshme. Por të lutem sinqerisht, të mos cënojmë arritjet tona të padiskutueshme për disa vota më shumë në 18 qershor. Sepse votat kanë rëndësi për partitë, por mostrazimi i nxënësve që po përgatiten për Maturën Shtetërore të këtij viti dhe i prindërve të tyre, ka rëndësi për të gjithë ne, pavarësisht partive.
Miqësisht,
Lindita”
Vetëm pak orë më parë, Kryemadhi u shpreh përpara gjimnazistëve në Lezhë se gabimet e vitit të kaluar me Maturën Shtetërore nuk duhet të përsëriten.
Deputetja u ka thënë gjimnazistëve se LSI do të angazhohet maksimalisht për të riparuar defektet që ka shkaktuar Reforma dhe se vota pro ishte për hir të kompromisit qeverisës.
Duhet thënë se LSI e ka shprehur vazhdimisht shqetësimin për Reformën në Arsim dhe rezultatet që ajo ka dhënë.
‘’Unë urojë që matura shtetërore e këtij viti të jetë ajo çka ne presim të jetë sepse po cenove ëndrrat edhe shpresat e një maturanti, të një të riu, për të ardhmen, ke cenuar shpresat dhe të ardhmet e një vendi. Ju asnjëherë nuk duhet të bëni kompromis përsa i përket dijeve tuaja. Besoj tek forca, te besimi dhe tek vullneti dhe tek dëshira e juaj për ta ndryshuar këtë gjë”,- u shpreh deputetja Kryemadhi. (D.D/Shuplaka)