Vetëm pak minuta më parë ka filluar evakuimi i banorëve në fshatrat Bilaj dhe Murqinë të Fushë-Krujës. Mësohet se evakuimi do të bëhet me helikoper dhe varka.
”Po vdesim për bukë në Fushë-Krujë, uji na ka përmbytur komplet shtëpitë, jemi në katet sipër, na ndihmoni ju lutem!”, kjo është kërkesa e banorëve në Fushë-Krujë, në fshatrat Bilaj dhe Murqinë, të cilët janë krejtësisht të izoluar.
Natën uji ka nisur të përmbytë katet e para të shtëpive dhe ata me nxitim janë ngjitur sipër duke mos patur mundësi të ruajnë ushqimet për sot e në vazhdim.
”Uji është 2 metra”, raporton një dëshmitar në vendngjarje për ”Faxweb”.
”Këto janë ca foto nga Bilaji. Bilaji dhe Murqina janë keq fare.
Të shpise sime kanë mbet të izoluar, s’kanë as bukë me hangër se kur ka hyrë uji kane qenë në gjume dhe iu kanë prish krejt ushqimet. Rrinë në kat të dytë se i pari është me 2 metra ujë”, rrëfen banori.
Një pjesë e të përmbyturëve nuk kanë mundësi të flasin në telefon sepse nuk i kanë të karikuar për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
”Faxweb” mëson se ushtria ka nisur të shpërndajë ushqim në Murqinë por ende nuk ka shkuar në Bilaj.
Lagja e Palukëve është më keq nga të gjithë, prandaj banorët i bëjnë apel qeverisë t’i ndihmojë me ushqime ose t’i evakuojë.