Kreu i PD-së Lulzim Basha është duke mbajtur fjalën përpara qytetarëve në protestën e gjashtë kombëtare të opozitës. Ai e ndërpreu fjalën për një minutë në shenjë respekti ndaj besimtarëve myslimanë.
“Më lejoni në emër të të gjithëve, teksa vjen momenti i thyerjes së agjërimit, për vëllezërit dhe motrat tanë në agjërim, tju uroj nga zemra, Zoti jua shpërbleftë sakrificën. Zoti e shndërroftë këtë bekim hyjnor për të gjithë shqiptarët dhe Shqipërinë sakrificën tuaj. Ju ftoj të falemi e të lutemi bashkë me ta për një minutë, teksa thyejnë agjërimin në një akt hyjnor të sakrificës dhe të bindjes vetëm ndaj të Madhit Zot si autoriteti suprem i qenieve të tjera mbi tokë”, u shpreh Basha.
Pjesë nga fjala e Bashës:
Sonte shoh në sytë tuaj, dëgjoj në zërin tuaj, unë dhe gjithë Shqipëria, Europa dhe gjithë bota, shpresën e një kombi të ngritur në këmbë për të mos u ulur më kurrë. Është mbushur ky shesh me kurajo, me vendosmëri, me një mesazh të prerë dhe të vendosur: bëjeni ta dëgjojë gjithë bota.
E duam Shqipërinë si gjithë Europa!
Ky është mesazhi, kjo është aspirate që I ka mbledhur shqiptarët në këtë bashkim të pashembullt për herë të 6 në këtë shesh.
Nuk ka në Evropë kryeministër që kapet duke vjedhur zgjedhjet e mos të shporret një orë e më parë nga karrigia e të çohet para drejtësisë. Nuk ka në Evropë politikan që ta mbushë partinë e tij e grupin parlamentar me 19 përdhunues, vrasës e trafikantë dhe të mos shporret e të shkojë para drejtësisë.
Standardet, vlerat dhe normat e Evropës do të kishin diktuar me dhjetëra herë largimin e Edi Ramës dhe të bandës së tij. Në këto 6 vite e gjysëm, vetëm krim, korrupsion e hajduitëri, babëzi dhe dhunë ndaj qytetarëve shqiptarë. Ndaj sot e derisa të bëhet realitet, ka vetëm një mesazh nga populli: Rama ik.
Kjo betejë sot bëhet për Shqipërinë, kjo betejë sot bëhet për Evropën. Në këtë orë vendimtare kur qytetarët evropiane u drejtohen kutive të votimit le ti shtrijnë sytë në këtë shesh e të shohin se beteja për vlerat evropiane në Shqipëri po shkon drejt fitores.
Në emrin tuaj dhe të një populli të tërë dua të shpreh mirënjohjen time të thellë për miqtë tanë perëndimorë që kanë folur me një zë dhe kanë kërkuar ti jepet fund farsës kriminale të zgjedhjeve kriminale pa opozitën, kanë kërkuar që edhe kreu i bandës në pushtet ti thërrasë mendjes dhe të jetë i gatshëm të zbatojë standardin evropian për përgjegjësitë që ka para kushtetutës e ti hapë rrugë zgjidhjes politike.
Populli shqiptar, populli evropian në këtë shesh e kudo është i vendosur për zgjidhjen politike. Ajo kalon vetëm përmes largimit të shkaktarit dhe pengmarrësit ët demokracisë. Ai kurrë më nuk do ta ketë në dorë fatin e zgjedhjeve shqiptare. Ja ku është bashkimi dhe mesazhi ynë: Rama ik.
(E.K/Faxweb.al)