Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të njohura si Gjykata Speciale për krime lufte, është mbajtur konferenca e shtatë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson është përplasur me prokurorinë Speciale në konferencën mbi ecurinë e çështjes për Hashim Thaçin dhe të tjerët. Emmerson e ka quajtur të pandershme Prokurorinë Speciale lidhur me nxjerren e sasisë së saktë materialeve para 27 shtatorit kur është edhe afati i fundit. Pas kësaj, gjyqtari i procedurës paraprake Nicolas Guillou i ka tërhequr vërejtjen avokatit të Veselit për gjuhën e përdorur, raporton Gazeta Express.
“Nuk e kam shifrën e saktë të dokumenteve por nuk është numër i madh, nuk bëhet fjalë për materiale të mbetura për të ju dhënë një numër të përafërt, sa u përpoqa besoj që bëhet fjalë për deklarata të mëparshme për 15 dëshmitarë dhe këto kanë qenë objekt i masave për ndryshimin e masave dhe presim që t’i dorëzojmë para afatit të paraparë.
Nxjerrja e materialeve është bërë në vazhdimësi sikurse u shpjegua në konferencën e fundit, kishte shumë faktorë në kohën e nxjerrjes së atyre materialeve, në bazë të kërkesës për nënkategorizim u desht që disa materiale që u nxorrën të kontrollohen. Për fat të keq nuk mund të jem e saktë sepse nuk kemi marrë materiale për ato që kemi kërkuar por s’e dijmë sasinë e materialeve.Pjesa më e madhe e stafit punojnë nga distanca shkaku i pandemisë dhe s’kanë qasje në databazat e provave”, ka thënë prokurorja e Prokurorisë Speciale.