Ambasada britanike në Tiranë dhe Këshilli Britanik njoftuan fillimin e Javës Britanike në Shqipëri, e cila do të zhvillohet nga 16-22 shtator 2024. Në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Bashkitë e Tiranës, Durrësit dhe Hasit, ky festival kulturor i këtij viti do të shënojë një fazë të rëndësishme në marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë, duke dëshmuar partneritetin tonë në zhvillim, i cili shkon përtej miqësisë, duke krijuar përparim në fusha të ndryshme.
Ndërsa përkon me ardhjen e Ambasadorit të ri britanik në Shqipëri, Nicholas Abbott, Java Britanike 2024 ofron një program të larmishëm ngjarjesh që përfshijnë artet, kulturën, inovacionin, arsimin dhe zhvillimin e politikave. Festimet njëjavore kanë për qëllim të farkëtojnë mirëkuptim reciprok, të mësuarit e përbashkët dhe shkëmbimin krijues mes dy vendeve tona.
Ambasadori i ri britanik në Shqipëri, Nick Abbott tha: ‘Java Britanike 2024 mishëron Partneritetin për Përparim mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë. Ndërsa ecim përtej miqësisë për të ndërtuar një partneritet më të fortë, këto festime njëjavore paraqesin angazhimin tonë të përbashkët për të përparuar në të gjithë sektorin krijues, duke ndërtuar lidhje të reja dhe duke thelluar mirëkuptimin tonë. Mezi pres të angazhohem me miqtë dhe partnerët tanë shqiptarë gjatë këtyre eventeve.’
Tre evente të rëndësishme theksojnë thellësinë e partneriteti tonë:
- Festivali i Lirisë dhe Transformimit; Një shkëmbim intelektual dyditor në Durrës dhe Tiranë me folës frymëzyes, përfshirë Lea Ypi, Sir Noel Malcolm, Olivia Sudjic, Baronesha Shami Chakrabarti, Misha Glenny, Peter Frankopan, Sally Hayden, dhe William Sieghart. Eventi do të kulminojë me koncertin e Alda Dizdarit dhe Camilla Pay, të cilat do të kremtojnë trashëgiminë e përbashkët muzikore.
- ‘Species x Rebel Community: ‘Ritmet ndërkulturore të kërcimit për miqësinë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë’. Një shkrirje magjepsëse e ritmeve elektrike që përmbajnë veprat më të mira nga Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria, tek Sheshi Minus 1. Ky event paraqet talentin e vërtetë të të dy vendeve, duke kremtuar fuqinë e muzikës, për të krijuar bashkëpunime të reja artistike emocionuese dhe për të forcuar miqësitë ndërkombëtare.
- Drejt Politikës Novatore të Kulturës: ‘Mbretëria e Bashkuar, Suedia dhe Shqipëria në dialog’: Një konferencë e re që bashkon ekspertët ndërkombëtare për të ndarë praktikat më të mira në legjislacionin e arteve. Këto evente dëshmojnë angazhimin tonë për bashkëpunimin rajonal dhe zhvillimin e një sektori krijues që lulëzon, në të gjithe Ballkanin.
Duke nisur nga instalicionet e artit që provokojnë mendime tek diskutimet për politikat novatore të kulturës nga demonstrimet e teknologjisë tek dialogu i nivelit të lartë, programi reflekton bashkëpunimin e thellë dhe të gjerë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë.