Ka nisur mbledhja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shqyrtimin e mandateve të tre emrave të lakuar nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me dekriminalizimin. Do të shqyrtohen sot mandatet e kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi dhe deputetëve Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri.
Mësohet se i pranishëm në sallë është vetëm deputeti Shkëlqim Selami. Ai shoqërohet nga avokati Genci Çifiliku. Janë të pranishëm në mbledhjen e KQZ-së, avokati i Dashamir Tahirit, përfaqësuesi Fatmir Braka, avokati Theodhori Sollaku që përfaqëson Elvis Rroshin. Këta të zgjedhur janë ftuar të paraqesin argumentet e tyre për t’i ballafaquar ato me rezultatet e verifikimit nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në fjalën e tij, përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, u shpreh se Prokuroria e Përgjithshme ka kryer hetime të thelluara ku ligji parashikon periudha të ndryshme verifikimi. Në rastet konkrete, rezulton se subjekti i ligjit Elvis Rroshi është akuzuar për përdhunim në Itali. “Ai lakohet për dy rrethana dhe për të dyja rastet ndalimi rezulton i drejtë. Elvis Rroshit duhet t’i ishte hequr mandati që në Maj 2016 kur dorëzoi formuarin e vetëdeklarimit. Por ai vijoi të qëndrojë në mënyrë të kundraligjshme.”, është shprehur Bardhi.
Kjo deklaratë e tij u pasua me debatin me kreun e KQZ-sw, Denar Bibën, i cili kërkoi të bëhet kujdes. Ai theksoi se KQZ nuk ka kompetencë për hetim të thelluar.
Debati
Denar Biba: Iu lutem të kuptoni konditën tuaj përpara komisionit, iu kam dhënë fjalën. Ju jeni parti politike dhe keni një interes publik, dekriminalizimin e politikës.
Gazmend Bardhi (PD): Prokuroria ka kryer hetime të thelluara. Unë deri tani thjesht kam lexuar rezultatet
Denar Biba: I dimë rezultatet e Prokurorisë, i kemi ato. Mos ji gjykatës i detajuar.
Gazmend Bardhi: Ky ishte mendimi im për rastin e parë. Unë nuk bëj akuza, zbatoj ligjin
Denar Biba: Unë nuk iu ndjek me këtë bisedë
Avokati i Shkëlqim Selamit: Nuk rezulton fajtor pa një vendim gjykate të formës së prerë
Deputeti Shkëlqim Sellami ka qenë edhe vetë i pranishëm në seancën e KQZ-së ku diskutohet heqja e madanteve të tyre. Ai përmes avokatit që e përfaqësonte ka mohuar akuzat e Prokurorisë sipas të cilit ato janë të pavërteta. Edhe sipas asaj që tha avokati për sa kohë Gjykata në Itali nuk ka një vendim të prerë për fajësinë tij, ai është ligjërisht i pafajshëm.
‘’Nisur nga sa ka kërkuar Prokuroria, një verifikim për deputetin Selamin, ka rezultuar sipas se subjekti Selami përfshihet në objektin e ligjit të dekriminalizimit. Ky konkluzion i Prokurorisë është tërësisht i gabuar. Po ta shikojmë vetë zoti Selami i ka dhënë indicie KQZ-së duke plotësuar në formular se ndaj tij mund të ishte një proces hetimi në Itali në vitet ‘94, vetë Selami i ka dhënë indicien organeve që të veprojnë dhe ato se kanë bërë.
Asnjë person nuk konsiderohet fajtor përsa kohë nuk ka një vendim të formës ëë prerë nga Gjykata. Dhe zoti Selami është I pafajëshëm sa kohë që Gjykata italiane nuk ka një vendim, pasi çështja ëqshtë pushuar në vitin 2007’’, ka thënë ai ndër të tjera.
Avokati i Elvis Rroshit: Nuk është bërë hetim i thelluar. Të revokohet vendimi
Avokati Theodhori Sallaku që përfaqëson kryebashkiakun e Kavajës, Elvis Rroshi, u shpreh në mbledhjen e KQZ-së se nuk është bërë hetim i thelluar. Pavarësisht çfarë është folur për bashkëpunim edhe me autoritetet e huaja, ai shprehet se asgjë nuk është bërë.
“Nuk është bërë hetim i thelluar, nuk është bërë asgjë. Arrestimi i Rroshit u krye pa asnjë provë. Informacioni që ju dispononi nuk do të thotë gjë, ndaj e vetmja gjë që është e diskutueshme lidhur me mandatin është dënimi ndaj klientit tim kur ai ishte 16 vjeç. Dënimi i Rroshit është dhënë 24 vite më parë. Ka rezultuar se autoritetet e huaja të përfshira në këtë hetim, nuk kanë dhënë asnjë prononcim përveç pretendimeve të tyre. Nga infot që kemi ne, rezulton që në Zvicër dhe Gjermani nuk kanë dhënë asnjë info pas pretendimeve të ngritura 7 muaj më parë. Jo vetëm nuk ka, por edhe sikur të kishte, Zvicra nuk futet te shtetet që duhet të bënte deklarimin. Si mundet të penalizohet një person që mund të jetë dënuar jashtë në mungesë? Kërkoj të revokohet vendimi.”, u shpreh ndër të tjera avokati Sallaku.
Ai i kërkoi kryetarit të KQZ-së që të marrë në konsideratë kërkesën e tij, duke pasur parasysh se detyra e këtij komisioni është vetëm konstatimi.
Denar Biba: Njoftuam edhe Prokurorinë, por nuk është e pranishme, do të ishte mirë të ishte një përfaqësues.
Avokati i Dashamir Tahirit: Ajo për çka akuzohet Tahiri, s’përbën vepër penale
Në fjalën e tij, Fatmir Braka, avokati i deputetit Dashamir Tahiri, pasi ka lexuar fillimisht verifimin e rezultatit të hetimit për Tahirin, renditi arsyet përse nuk duhet vendosur për heqjen e mandatit të deputetit.
Në mungesë të Dashamir Tahirit, i cili nuk ishte i pranishëm në mbledhje, theksoi se dënimi në Itali ndaj Tahirit ui fal. Sipas avokatit Braka, ajo për çka akuzohet deputeti nuk përbën vepër penale.
“Për dënimin në 2009, Tahiri ka marrë në Itali vendimin dhe deklaron se nuk ka pasur asnjë dijeni. Ai u gjykua në mungesë në Itali, por dënimi u deklarua tërësisht i falur sapo u dha. Vepra për të cilën është dënuar Tahiri nuk përfshihet në veprat e specifikuara si ndaluese.
Tahiri u pyet vetëm njëherë nga prokuroria, nuk kishte pse të ngutej, pasi nuk ka sjellë vendimin e gjykatës së Ravenës.
Dashamir Tahiri është gjykuar në mungesë. Nuk ka ekzistuar dënim me burgim dhe në rastin e Tahirit nuk ekzistojnë rrethana për kryerjen e veprave penale. Kërkoj nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të mos marrë parasysh kërkesën e Prokurorisë.”, deklaroi ndër të tjera Braja.
Nis diskutimi për shqyrtimin e mandateve
Pas seancës dëgjimore, KQZ ka afat 10 ditë që të vendosë për kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e mandateve për deputetët dhe kryebashkiakun, mbi të cilët rëndon akuza e shkeljes së të dhënave.
Bardhi: Prokuroria nuk sjell dokumentacion, prokuroria njofton vetëm rezultatet e verifikimit dhe ajo që prokuroria në të treja rastet ka sjellë nuk ka thënë ti ndërpritet apo jo mandati, por vetëm se janë subjekte të ligjit. Rezultati i verifikimit është kompetencë e Prokurorisë.
Jorgaqi: Ndoshta është rasti për të vendosur rregulla për vijimin e këtij procesi. Pyetja është “Cili është roli i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në këtë mes?
Shtyhet mbledhja e KQZ-së
Komisioni Qendror Zgjedhjeve nuk ka marrë sot një vendim përfundimtar për mandatet e dy deputetëve dhe kryebashkiakut të Kavajës. Anëtarët e KQZ-së vlerësuan se prokuroria do të duhet t’u paraqesë më shumë dokumente, datat e vendimeve dhe kopjet e vendimet në shtetet e huaja kundër deputetëve dhe kryetarit të Bashkisë.
Ky vendim erdhi pas rreth tre orësh debat, pas kërkesës së Prokurorisë. Kundër këtij vendimi doli nënkryetari i KQZ-së, Hysen Osmani i cili tha se prokuroria nuk ka se çfarë dokumentesh të japë më shumë. Pas vendimit të KQZ-së, Prokurorisë do ti lihen edhe 48 orë kohë për t’i paraqitur dokumentet shtesë.
(XH.A/SHUPLAKA)