Bashkia e Tiranës ka nisur punën për zbatimin e projektit që synon ndërtimin e banesave të reja me qëllim krijimin e kushteve më të mira dhe përmirësimin e jetës sociale të 50 familjeve të komunitetit rom. Proketi i quajtur “Neë House-Neë Life: Rehabilitation of Roma Community Settlement” është financuar nga “IADSA”. I pranishëm në nisjen e punimeve të këtij projekti në Shkozë ishte dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj dhe Ministri për Financat, Arben Ahmetaj.
Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ndërtimi i banesave të reja është një lajm i mirë për anëtarët e komunitetit rom, ndërsa theksoi se kjo është përgjigjja më e mirë ndaj atyre që në vend të ndihmojnë për zgjidhjen e problemeve, merren me fjalë. “Më vjen mirë që kemi marrë këtë financim të qenësishëm nga Ministri i Financave dhe Ambasada e Italisë për të ndërtuar banesa për disa qindra qytetarë. Besoj që jo vetëm ky është një lajm i mirë për komunitetin, por unë besoj se është edhe një përgjigje finale për mënyrën se si bëhen gjërat në Shqipëri. Përfundimisht jemi ndarë në dy kategori; njerëz që vënë gishtin, shajnë dhe mallkojnë gjithçka dhe njerëz që në çdo problem thonë, si mund ta zgjidh. Unë besoj që hyjmë tek kategoria e dytë, që shohim një problem dhe mendojmë për zgjidhjen e jo të shajmë apo të gjejmë fajtorin që siç e dini fare mirë, këtu ka qenë një situatë e trashëguar prej vitesh”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë u shpreh se shumë prej qytetarëve që janë strehuar në qendrën sociale të Shkozës, në pak muaj do të kenë banesa me të gjithë kushtet dinjitoze të jetesës, të higjienës dhe hapësirës së nevojshme, sidomos për familjet me shumë anëtarë të komunitetit rom. “Për herë të parë po fusim një koncept të ri, ku vërtet nuk do të ketë pagesë për të strehuar këta banorë, por gjithsesi disa kushte do të jenë: Një ndër kushtet do të jetë që çdo fëmijë duhet të shkojë patjetër në shkollë dhe kushti për të qëndruar në këto banesa të reja do të jetë arsimi i detyrueshëm. Kushti tjetër do të jetë, për ata që janë 16-30 vjeç, do të duhet me detyrim të futen në një kurs të arsimit profesional”, u shpreh kryebashkiaku. Kryetari Veliaj tha se pas kalimit të krizës nga moti, do të fillojë pa humbur kohë dhe zgjidhja afatgjatë për komunitetin rom dhe personave të tjerë në nevojë të Tiranës.
Ministri i Financave, Ahmetaj deklaroi se ky projekt është konceptuar në vijim të paketës të solidaritetit që qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës ka ndaj shtresave në nevojë. “Është një projekt i bashkëpunimit të qeverive shqiptare dhe italiane në kuadrin e konvertimit të borxhit në projekte të qeverisjes vendore në favor të komuniteteve në nevojë, siç është komuniteti rom dhe egjiptian. Në themel, së bashku me Kryetarin Veliaj dhe Ambasadorin Italian, kemi menduar ta konceptojmë një vazhdim të paketës të solidaritetit që qeveria shqiptare dhe Bashkia e Tiranës ka ndaj shtresave në nevojë. Besoj që edhe me vazhdimin e programit “IADSA”, Bashkia e Tiranës do të fitojë sërish financim për projekte të kësaj natyre”, tha Ahmetaj. (J.V/Shuplaka)
Discussion about this post