Shtyhet për herë të dytë seanca në Gjykatën për Krime të Rënda për ish ministrin Saimir Tahiri.
Shkak është bërë njëri prej të pandehurve, Gjergji Kohila, i cili në prokurën e dërguar nuk specifikon se ka dijeni për seancën por thjesht autorizon avokaten për përfaqësim.
Tahiri nuk ka bërë asnjë koment në sallën e gjyqit, ndërsa seanca e radhës ndaj tij është caktuar të mbahet në datën 17 Korrik. Teksa komentoi për gazetarët jashtë Krimeve të Rënda, Tahiri u shpreh: Më vjen keq që seanca u shty, Shqipëria po ecën përpara, vetëm gjyqi im jo.
Prokuroria ka ngritur disa akuza në drejtim të ish-ministrit socialist që janë “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes ‘Habilaj’.
Vetë Tahiri kërkoi që procesi të përfundojë sa më shpejt, dhe nëse do të ishte e nevojshme, të kishte seanca edhe përditë, vetëm drejtësia të thotë fjalën e fundit.
“Nuk duhet të ketë vonesa në procesin gjyqësor. Procesi duhet të shkojë përpara, pa humbur kohë, se boll kohë kemi humbur deri më sot! Të kërkosh gjykim të shkurtuar nuk do të thotë që të pranosh fajësinë.
Nuk ka nevojë të zgjatet asnjë seancë më shumë. Nuk ka nevojë që të zvarritet ky gjyq. Ndoshta ka shumë që nuk janë të interesuar për drejtësi, unë jam i interesuar për drejtësi dhe do të vazhdoj. Gjykata t’i bëjë seancat ditë për ditë! U bënë dy vjet që zvarritet e zvarritet kjo histori. Nuk e kuptoj pse, por kam dyshimet e mia që ky proces po zvarritet për arsye politike.
Ky proces nisi në Itali, me përgjimet e Italisë dhe më pas erdhi në Shqipëri. Jam hetuar në Itali, ndërkohë që ata e dhanë verdiktin e tyre duke thënë se Saimir Tahiri nuk ka asnjë lidhje me këtë histori. Nuk e di se pse vazhdon akoma kjo histori. Ju ftoj që të vini dhe të shihni dosjen”, tha Tahiri në seancën e kaluar të datës 19 Qershor.
(E.K/Faxweb.al)