Shpeshherë aventurat që në dukje të kënaqin dhe të shlodhin mund të kthehen në rrezik. Kjo ka ndodhur edhe me një çift të rinjsh ditën e djeshme në qytetin e Vlorës. Ditën e djeshme, 28 janar, shtetasit B.F., 32 vjeç, banues në Tiranë dhe D.M., 34 vjeçe, banuese në Fier, padyshim që do ta mbajnë mend gjatë, për faktin se ajo u kthye në një aventurë të vërtetë për ta. Edhe pse ishin nisur me dëshirë të madhe për një udhëtim ndryshe jo gjithçka ka rezultuar mirë.
Teksa kishin dalë për turizëm dimëror në malin e Llogarasë, pas antenave të këtij mali, dy të rinjtë kishin humbur rrugën e kthimit, dhe duke u ndjerë në rrezik për shkak të dëborës së rënë dhe errësirës, ata rreth orës 19:40 kërkuan ndihmën e policisë.
Menjëherë shërbimet e Policisë së Vlorës, filluan kërkimet me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë çiftit të të fejuarve.
Gazetari Enrik Mehmeti thotë se, pas disa orë rrugë dhe kërkimesh në këtë terren të thellë, në kushte të vështira të errësirës, sasisë së dëborës së rënë dhe ftohtit, u bë e mundur gjetja e këtij çifti dhe shpëtimi i tyre.
Fatmirësisht, dy të rinjtë ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore dhe pasi u transportuan drejt Stacionit të Policisë Orikum, u lanë të lirë shëndoshë e mirë për në banesat e tyre.
Discussion about this post