Një fazë e re e bashkëpunimit strategjik ndërmjet Policisë së Shtetit të Shqipërisë dhe Policisë Federale Gjermane është çelur me nisjen zyrtare të projektit SCOPE III, një iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Evropian që synon thellimin e reformave në sektorin e sigurisë dhe forcimin e kapaciteteve policore në Shqipëri dhe më gjerë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Gjatë takimit të zhvilluar në Tiranë mes Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, dhe Shefit të Departamentit të Luftës kundër Kriminalitetit në Policinë Federale Gjermane, z. Mathias Schaef, i cili është gjithashtu drejtuesi i projektit, u theksua rëndësia e këtij bashkëpunimi afatgjatë dhe efektiv.
“Në drejtimin e z. Schaef, projektet SCOPE I dhe II kanë sjellë rezultate konkrete dhe ndikim të drejtpërdrejtë në profesionalizimin dhe transformimin e strukturave tona. Nisja e fazës së tretë është konfirmim i një besimi të ndërsjellë dhe i një partneriteti strategjik që i kalon kufijtë teknikë”, – deklaroi z. Proda.
Faza e tretë e projektit SCOPE parashikon një sërë nismash novatore në përputhje me standardet më të avancuara të BE-së dhe me prioritetet e sigurisë rajonale, përfshirë: Dixhitalizimin e trajnimeve policore, Zbatimin e inteligjencës artificiale në proceset e analizës kriminale, krijimin e strukturave rajonale shkencore, shkëmbimin e hetuesve dhe ekspertëve, forcimin e kapaciteteve në sigurinë kibernetike, angazhimin në role udhëheqëse brenda platformës EMPACT (Platforma Evropiane për Luftën kundër Krimit të Organizuar dhe Terrorizmit).
Ky bashkëpunim i ngushtë mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Federale Gjermane po kthehet në një nga shtyllat kyçe të reformimit të strukturave të zbatimit të ligjit në Shqipëri, duke rritur profesionalizimin, efikasitetin dhe besimin e qytetarëve.
Projekti SCOPE III konfirmon gjithashtu përfshirjen aktive të Shqipërisë në rrjetet e bashkëpunimit rajonal dhe evropian për sigurinë, duke përshpejtuar integrimin e vendit në standardet e BE-së.