Presidenti i Republikës Bujar Nishani sqaron edhe njëherë arsyet e vendimit të tij, për dekretimin e Fatmir Xhafajt si ministër i Punëve të Brendshme, pavarësisht kontestimeve të fundit lidhur me akuzat për ushtrim dhune dhe tortura në kohën e diktaturës.
I ftuar në “5 pyetjet nga Babaramo”, Nishani tha se presidenti i Republikës nuk e ka tagrin për të mos dekretuar një ministër të propozuar nga kryeministri. Megjithatë shtoi se Rama duhej të ishte konsultuar paraprakisht me të, në mënyrë që propozimi i ministrit të qetësonte tensionet politike dhe jo t’i forconte më shumë ato.
“Figura e ministrit të brendshëm merr një rëndësi më të madhe, krahasuar me ministrat e tjerë. Do duhej që kryeministri, në një konsultë me presidentin e Republikës, të kishte ofruar një figurë që ndikon në uljen e tensionit politik, por kjo nuk u bë, por pas dekretimit patëm dëshmi publike nga individë, që kandidati i dekretuar ministër, kishte ushtruar dhunë ndaj subjektit dhe familjarëve.
Ajo që presim, procesi zgjedhor kur duhet të garantohet paanshmëria, por nuk është një avantazh i një qeverie. Duke ardhur drejt këtij procesi, në gjykimin tim kandidatura për ministrin e brendshëm, ishte e papërshtatshme. Nëse do kisha të drejtën kushtetuese unë do ta hiqja, por kjo e drejtë nuk i njihet presidentit të Republikës, ai thjesht dekreton vendimet për t’i çuar në parlament. Unë kreva detyrën time kushtetuese, por shpreha edhe shqetësimin tim personal në mënyrë që më tej të ketë një reflektim.
Së pari nuk kam parë asnjë lloj relativizimi të dëshmive, nuk ka përgënjështrime të personave për dëshmitë. Interpretimet dhe komentet e bëra në faqe gazetash unë nuk i përgjigjem, por këto dëshmi duhen verifikuar patjetër. E vetmja mënyrë është që të hapet një proces hetimor parlamentar, dhe më pas të kërkohet që prokuroria dhe ministria e brendshme, dhe i gjithë dokumentacioni administrohet pikërisht në këtë ministri, arkiva për hetuesinë në kohën e diktaturës është nën varësinë e kësaj ministrie. Presidenti nuk ka kopetenca për të hetuar as në ministri, as në prokurori.
Nuk është tagri i presidentit të kërkojë një hetim tek institucionet që nuk janë në varësi të tij, ka të drejtë te të tjera institucione për të kërkuar informacione. Ky komunikim me institucionet e sigurisë kombëtare është zhvilluar, por ne po flasim për dëshmi të qytetarëve për ushtrimin e dhunës dhe torturave. Nuk ka patur ligj për të torturuar një njeri për hir të proceseve hetimore.
Janë çështje që duhet të hetohen nga ana e parlamentit shqiptar. Procesi i dekriminalizimit dhe hapjes së dosjeve janë procese të tjera, sërish jo në varësinë e presidentit.
Absolutisht unë nuk e di të jetë krijuar, nuk ka patur asnjë prononcim, unë nuk kam qenë për disa ditë në vend për shkak të angazhimeve në Azerbajxhan dhe sapo kam ardhur jam marrë me çështjen e dekretimit të ministrave. Nuk kam patur asnjë kontakt dhe nuk ka arsye që ambasadorë të huaj të mësojnë presidentin e republikës për çështje të detyrës së tij.”, deklaroi Nishani.
Më tutje ai shprehu se ndihet i çuditur që njerëz pranë qeverisë janë të mërzitur me dekretimin e Xhafajt. (D.D/Shuplaka)